UP njofton se ligjëratat në të gjitha fakultetet do të mbahen online

Universiteti Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në përputhje me vendimin e Minitrisë së Shëndetësisë, ligjëratat në të gjitha fakultetet do të mbahen online, ndërsa ushtrime laboratorike dhe praktike do të mbahen në objektet e fakulteteve duke respektuar rekomandimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

“Bazuar në vendimin e datës 31/10/2020 të Ministrisë së Shëndetësisë për masat anti-Covid 19 dhe vendimin e Senatit nr. 2/113 të datës 13/10/2020, pika 2, menaxhmenti i UP-së kërkon nga dekanët e njësive akademike të informojnë personelin akademik që ligjëratat të organizohen vetëm në formën online”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Tutje, thuhet se personeli akademik dhe administrativ mbi moshën 60 vjeçare, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, nuk kanë obligim të paraqiten në punë deri në ndryshimin e rrethanave të krijuara nga pandemia. Detyrat e punës nga personeli që i takon kategorisë së të punësuarve si në këtë paragraf, deri në një vendim /njoftim tjetër do të kryhen nga shtëpia.

Ministri i Shëndetësisë në konferencë për media, kishte bërë të ditur se praktika, provimet dhe puna laboratorike do të zhvillohen fizikisht vetëm nën respektimin e masave dhe rekomandimeve nga IKShKP-ja.