UP-ja dhe Komuna e Gjilanit nisin bashkëpunimin ndërinstitucional

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshjen e parë  me ndonjë komunë, me atë të Gjilanit.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha që kjo marrëveshje ka të bëjë në avancimin tutje të misionit të tretë të universitetit – atë të shërbimit për komunitetin.

“Universiteti i Prishtinës, përpos misionit bazik, për mësimdhënie dhe mësimnxënie, si dhe kërkim shkencor, punon edhe në avancimin tutje të veprimtarisë shërbyese ndaj komunitetit. Komunat paraqesin adresën adekuate për të vënë stafin dhe kapacitetet tona në funksion të shoqërisë,” tha rektori, i cili u shpreh entuziast për nisjen e këtij bashkëpunimi.

I lumtur për bashkëpunimin me UP-në u shpreh edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ai theksoi që është nder dhe kënaqësi e veçantë që si i pari i Komunës së Gjilanit, të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me UP-në.

“Është i paimagjinueshëm niveli i zgjidhjeve që mund të ofrojë angazhimi i kapacitetit njerëzor nga UP-ja në komunën tonë. Bashkëpunimi i UP-së me komuna nuk ka qenë praktikë deri më tani, por mendoj që është një iniciativë e nisur nga ne dhe që duhet të ndiqet në vazhdimësi edhe nga të tjerët,” theksoi Hyseni.

Marrëveshja e nënshkruar ka për synim përcaktimin e kornizës së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, përfshirë këtu: bashkëpunimin në hartimin dhe zbatimin e projekteve; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke; ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës; si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.