Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

UP i blen xhip 38 mijë euro Marjan Demës, në tenderin pa konkurrencë

Menaxhmenti i lartë i Universitetit të Prishtinës pritet të bëhet me veturë të re.

UP ka shpallur fituesin e tenderit për blerjen e veturës për nevoja të rektorit, Marjan Dema.

‘Baki Automobile’ ka fituar lotin 1 të tenderit të UP-së për vetura, përkatësisht një xhipi.

Në njoftimin për dhënien e kontratës më 30 korrik thuhet se kjo veturë do të kushtojë 38  mijë e 574 euro.

Selman Qorri nga Zyra e Prokurimit të UP-së, ka thënë për KALLXO.com se ‘Baki Automobile’ ka qenë ofertues i vetëm për këtë lot të tenderit.

“Tek dorëzimi i ofertave ka shprehur interesim vetëm një Operator Ekonomik per Lot 1 “Furnizimi me Një veturë Xhip për nevojat e Universitetit të Prishtinës- Hasan Prishtina”, tha ai.

Më 28 qershor, UP kishte hapur tender për një veturë ‘xhip’ dhe për katër vetura të tjera.

Lidhur me lotin 2, pra tenderi ku UP kërkon blerjen e dy veturave limuzinë, një transporter (kombi me mbi tetë ulëse) dhe një Caddy, sipas Qorrit nuk ka pasur operatorë të interesuar.

Në fillim të këtij muaji, KALLXO.com kishte raportuar lidhur me hapjen e tenderit për vetura. Tenderi pati specifikacione që përfshinin “version për duhanxhinj” për xhipin dhe “Iso Fix për ulëse për fëmijë”.

Lidhur me këtë, rektori i UP-së kishte reaguar duke thënë se veturat kanë qenë të nevojshme pasi ato ekzistuese nuk janë funksionale.

Ai madje pati thënë se veturën momentale në UP i është dashur ta shtyjë për ta ndezur.

Rektori ankohet se vetura e UP-së nuk ndizet pa shtyrje