Ilustrim

UP hap konkursin për studentë të rinj

Universiteti i Prishtinës sot pritet ta shpallë konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj në tri nivelet e studimit: bachelor, master dhe doktoratë.

Kështu tha për Radio Kosovën prorektori për Mësim dhe Çështje të Studentëve, Hysen Bytyqi. Ai tha se edhe vendimi i Ministrisë së Arsimit për rritjen numrit të studentëve në Mjekësi ka filluar të zbatohet që nga e hëna, pasi që është vendim i obligueshëm.

Të premten pritet të shpallet konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në të tria nivelet e studimit në Universitetin e Prishtinës, ku do të jenë të lira mbi 3 mijë vende.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radio Kosovën prorektori për Mësim dhe Çështje të studentëve në UP, Hysen Bytyqi. Ai tha se hapjes së konkursit do t’i paraprijë një aprovim formal i Senatit të UP-së, mbledhja e të cilit mbahet të premten në ora 9:00.

“Do të shpallen për aplikim të kandidatëve 150 programe studimore, prej tyre 70 në nivelin bachelor, 65 në master dhe 15 programe për studime të doktoratës. Numri i përgjithshëm i studentëve apo i vendeve të lira janë gjithsej 3534 vende. Në nivelin master do të jenë 2425 studentë dhe 116 studentë në studimet e doktoratës”.

Prorektori Bytyqi tha se që nga e hëna ka filluar të zbatohet edhe vendimi i Ministrisë së Arsimit për ta rritur numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, me 75 studentë në programin Mjekësi e Përgjithshme dhe 59 studentë në Infermieri.

“Ka qenë vendim i obligueshëm i cili kërkon të implementohet dhe duke e pasur parasysh këtë fakt, ne kemi kërkuar nga administrata jonë, shërbimi i studentëve dhe Fakulteti i Mjekësisë që një gjë të tillë ta implementojë dhe sa e di që nga e hëna një gjë e tillë është në proces dhe është realizuar. Dhe nëse nuk janë plotësuar ato vende mbeten në afatin e dytë të shtatorit sikur edhe në fakultetet e tjera, por vendimi ka qenë obligues dhe ne e kemi implementuar”.

Në konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj, UP është e obliguar me rregullore që 17 për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve që regjistrohen të jenë nga komunitetet pakicë dhe studentëve jashtë Kosovës.