Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prizrenit kundërligjshëm anuloi konkursin për staf akademik në Fakultetin Filologjik

Inspektorati i Punës, dega në Prizren ka shfuqizuar vendimin e Universitetit Publik të këtij qyteti “Ukshin Hoti” për anulimin e Konkursit për zgjedhjen dhe rizgjedhjen e stafit të ri akademik në këtë universitet.

Senati  i këtij Universiteti me kërkesë të Fakultetit të Filologjik, më 27 gusht 2019, anuloi konkursin e shpallur më 4 shkurt të po këtij viti për zgjedhjen dhe rizgjedhjen e stafit të ri akademik për këtë fakultet për këtë vit, me arsyetimin se ka pasur shkelje ligjore dhe procedurale nga ana e ish-dekanit të Fakultetit të Filologjisë, Shkëlqim Millaku.

Por, gjatë kësaj jave Universiteti i Prizrenit ka marrë njoftimin nga Inspektorati i Punës që ka bërë vendim të gabuar për anulimin e konkursit.

Inspektorati i Punës, dega në Prizren aprovoi si të bazuar ankesën e ushtruar në inspektoratin e punës të Shkëlqim Millaku, Sermin Turtulla, Jusuf Mustafai, Rinor Matoshi dhe Alberita Shala, kudër UUH-së për mos procedim të konkursit për staf të rregullt akademik.

“Senati –rektori i UP ‘Ukshin Hoti’ të shfuqizoj vendimin nr. 01-298, të datës 27.8.2019, dhe të lejoj zhvillimin e proceduarve në bazë të konkursit, nr. 01-145, bazuar në nenin 8 të paragrafit 2 të Ligjit të punës 03/L-212 neni 14 të Udhëzimit administrativ nr. 07/2017, për rregullimin e proceduarve të Konkursit në sektorin publik, Statusit të IP ‘Ukshin Hoti” dhe Rregullores mbi zgjedhjet në Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren dhe për punë e Këshillit të Fakulteti”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Vendimi i IP-së vjen pas ankesë që kanë ushtuar në këtë institucione pesë persona në cilësinë e kandidatit për staf akademik, ndaj Universitetit për mos procedim të konkursit.

Anulimit të konkursit për zgjedhjen e stafit akademik në Fakultetit i parapriu vendimi Këshillit të Fakultetit me nr. nr. 5-478 të datës 23.04.2018; për zgjedhjen e anëtarëve të rinj.

Në lidhje me këtë, Shkëlqim Millaku ish-dekan i Fakultetit të Filologjisë, në një prononcim për Kallxo.com ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij lidhur me konkursin, duke shtuar se vendimi për anulimin e konkursit për staf akademik por edhe për verifikimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Këshillit të Fakultetit është antiligjor.

“Vendimi për plotësim ndryshimin e vendimit me nr. 5-478 të datës 23.04.2018 nga ana e Këshillit të Fakultetit të Filologjik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, është në kundërshtim me parimin e zgjedhjeve të lira dhe është bërë edhe me qëllim të anulimit të konkursit për zgjedhjen dhe rizgjedhjen e stafit akademik në këtë fakultet”, ka thënë ish dekani Millaku, aktualisht profesor në këtë universitet.

Por, pavarësisht akuzave të Millakut, dekanati i Fakultetit të Filologjisë së UPZ-së, përmes një përgjigje për Kallxo.com, tha se vendimin për plotësim ndryshim të Këshillit të Fakulteti të marrë më 25.7. 2019, e kanë marrë duke respektuar dispozita ligjore.

Por, ata nuk kanë dhënë sqarim në akuzat e Milakut se plotësimi i Këshilli të Fakulteti është bërë për të anuluar konkursin e 4 prillit të 2019, duke u përgjigjur vetëm sa i përket plotësimit të Këshillit të fakultetit me anëtarë të rinj.

Sipas këtij fakulteti, plotësimi i Këshillit të Fakultetit me anëtarë të rinj nga radhët e personelit akademik është bërë duke respektuar dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Përfshirë edhe Rregulloren mbi Zgjedhjet në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe Punën e Këshillit të Fakultetit, neni 2 dhe  neni 25 i kësaj rregullore: Neni 2 pika 3: deri në 15 anëtarë të zgjedhur nga radha e profesorëve të fakultetit, Neni 25, pika e 1: Për shkak të numrit të vogël të stafit të rregullt akademik disa njësi akademike nuk mund t’i plotësojnë disa kushte sipas nenit 2 të kësaj rregullore, atëherë plotësimi i numrit të Këshillit të Fakultetit mund të bëhet nga radhët e gjithë stafit akademikë (profesorë dhe asistentë në marrëdhënie të rregullt pune)”.

“Edhe pas këtij plotësimi ende nuk është arritur numri 15 i anëtarëve të përfaqësuar në këshill të fakultetit. Ky vendim është marrë me qëllim të plotësimit dhe të funksionimit sa më të mirë të Këshillit të Fakultetit”, thuhet në përgjigjen e Fakultetit Filologjik të UPZ-së rreth këtij vendimi.

Por, ish dekani Millaku, pohon se referimi i nenit 73 të statutit dhe rregullores nga ana e dekanatit është i gabuar, pasi sipas tij, kjo vlen për proces zgjedhor se sa anëtarë duhet me qenë në Këshill, por jo edhe të plotësohen gjatë kohës se mandatit, katër vjeçar, pra pas mbarimit të zgjedhjeve.

Ai ka thënë me tej se Statuti dhe rregulloret përkatëse e kanë paraparë saktësisht se kush mund të jenë anëtarë të Këshillit të Fakultetit.

Mbi këtë bazë ligjore, sipas tij, Këshilli Drejtues i UPZ është bazuar edhe në procedurën e zgjedhjeve ka paraparë dinamikën e zgjedhjeve të Këshillin të Fakultetit mbi bazë e të cilat edhe mbahen zgjedhjet për gjitha njësitë akademike.

“Në dinamikë janë të parapara gjitha procedurat. Për të qenë anëtar i Këshillit nuk është obligim ligjor, por nëse profesorët, asistentët dhe administrata dëshirojnë më qenë pjesë e Këshillit, atëherë janë të obliguar të nënshkruajnë një formular “deklaratë”, e cila sipas dinamikës është paraparë të nënshkruhet, më 5.04.2018”, ka thënë ai për Kallxo.com, duke shtuar se nëse numri i anëtarëve është më i madh se sa parashihet në Statut dhe Rregullore, atëherë vazhdohet me zgjedhje të brendshme për t’i zgjedhur anëtarët e Këshillit.

Millaku thotë se nëse numri i anëtarëve është më i vogël se sa parashihet në Statut, atëherë shkojnë të gjithë të deklaruarit që dëshirojnë të jenë anëtarë të Këshillit.

“Në bazë të dinamikës, konstituimi dhe verifikimi i anëtarëve të Këshillit të njësive akademike është bërë, më 09.04.2019. Pas datës në fjalë çdo plotësim shkel zgjedhjet e lira dhe demokratike. Konstituimin e ka bërë një organ i quajtur KQZ. Ky organ është i emëruar nga Këshilli drejtues dhe përbehet nga pesë anëtarë: Tre nga Universiteti, një nga MAShT-i dhe një nga KQZ-ja lokale, pra komunale”, ka thënë Millaku.

Para vendimit të Këshillit të Fakulteti Fakultetit të datës, 25.7. 2019, Këshilli i këtij fakulteti kishte dymbëdhjetë anëtarë. Këshilli e Fakultetit mund ta përbëjnë nga dy deri në pesëmbëdhjetë anëtarë sipas Statutit dhe procesit zgjedhor.