Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Universiteti i Prizrenit hap konkursin për mbi 1,600 studentë të rinj

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” sot ka hapur dyert për pranimin e studentëve të rinj për vitin e ri akademik 2020/21.

UPZ ka bërë të ditur se në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2020/2021, do të regjistrojë 1,680 studentë, prej të cilëve 1,630 studentë të rregullt dhe 50 studentë me korrespondencë.

“Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen deri në 3% përkatësisht deri 48 kandidatë të cilët kanë lindur në vendet jashtë Kosovës (Shtetas te Huaj dhe nga trojet Shqiptare ), ndërsa shkollimin e mesëm e kanë mbaruar në Republikën e Kosovës, do t’iu nënshtrohen kushteve të njëjta për pranim si kandidatët nga Kosova”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Tutje thuhet se të drejtë pranimi në Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren kanë të gjithë kandidatët kosovarë, të cilët shkollimin e mesëm e kanë përfunduar në njërën prej shkollave publike apo shkollave private të licencuara në Republikën e Kosovës dhe që e kanë diplomën për shkollimin e kryer.

“Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit, bëhet prej 21.09.2020 deri më 30.09.2020, nga ora 09:00-15:00 (ditë pune) ditën e fundit dokumentet pranohen deri ora 16:00. Provimi pranues do të mbahet më 02.10.2020, duke filluar prej orës 09:00”, thuhet në njoftim.

Për më shumë detaje rreth konkursit klikoni këtu.

Sot, edhe Universiteti i Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës kanë hapur aplikimin për studentë të rinj.