Universiteti i Prishtinës shënon ngritje në renditje botërore për 83 pozita

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se sipas azhurnimit të fundit, është ngritur për 83 pozita në renditjen botërore, si dhe për 22 pozita në renditjen kontinentale.

Kjo renditje është për periudhën janar – korrik 2020 në renditjen e Webometrics, që sipas rezultateve të tyre Universiteti i Prishtinës vazhdon të jetë lider i arsimit të lartë.

UP-ja në një njoftim ka thënë se fakti që ky Universitet po ngritët në çdo edicion të azhurnuar nga Webometrics, paraqet lajm pozitiv për arsimin e lartë, sidomos në këtë situatë kur vendi dhe bota për përballet me pandeminë COVID-19.

Rektori Marjan Dema, këtë sukës i ka atribuuar stafit akademik të UP-së, teksa për këtë arritje, përgëzon organet drejtuese dhe menaxhuese, stafin administrativ dhe studentët e UP-së.

Rangimi i universiteteve i Webometrics-it merr parasysh katër kritere për rangimin e institucioneve akademike, dy që lidhen me numrin e citimeve të stafit akademik dhe numrin e publikimeve në revistat më të mira shkencore dhe dy që lidhen me praninë digjitale përmes vëllimit të informacionit të plasuar në uebsajt.

Webometrics është një prej rangimeve më të rëndësishme botërore, i zhvilluar nën patronatin e Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas – CSIS), me qendër në Madrid, njësi e Ministrisë së Edukimit të Spanjës.