Universitetet publike akuzojnë ministrin se kërcënoi rektorin e Ferizajt

Konferenca e Rektorëve të universiteteve publike ka reaguar ndaj një letre të ministrit në detyrë të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi drejtuar rektorit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, në lidhje me anëtarët e ri të Këshillit Drejtues të këtij universiteti.

Sipas shkresave që ka dërguar konferenca e rektorëve, rektori i Ferizajt, Agron Bajraktari kishte kërkuar CV-të e personave që MAShT kishte dërguar në Këshillin Drejtues të këtij universiteti.

Rektorët kanë publikuar shkresën dhe e kanë cilësuar si kërcënim gjuhën e përdorur të Bytyqit

“Rektorët njëzëri kanë shprehur indinjatë të thellë për gjuhën kërcënuese, shantazuese dhe pa etikë të ministrit të MASHT, Shyqiri Bytyqi, në shkresën me numër 195/01B drejtuar rekotrit  të UShAF, Prof.Dr. Agron Bajraktari”, thuhet në një komunikatë për media.

Tutje është thënë se shkresa e ministrit Bytyqi dërguar ndaj rektorit të universitetit të Ferizajt është për keqardhje dhe sipas tyre është dëshmi se sa kanë degraduar politikat arsimore në Qeverinë e Kosovës dhe “sa kanë devijuar partitë politike në trajtimin e arsimit të kuadrove të arsimit”.

“Konferenca e Rektorëve thekson faktin se kjo nuk është hera e parë që ministri  tejkalon kompetencat e veta, duke ndërhyrë në autonominë e universiteteve publike. Prej se është zgjedhur ministër z.Bytyqi ka udhëhequr një politikë institucionale e jo institucionale kundër universiteteve publike”, thuhet në reagimin e tyre.

Në shkresën e dërguar me 14 nëntor, Bytyqi i kishte thënë Bajraktarit se kërkesa e tij për kërkimin e CV-ve të tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të emëruar nga ministri, është tejkalim i kompetencave dhe skandaloz.

“Sjellja dhe kërkesat tuaja bien në kundërshtim të plotë me Lidhin për Arsimin e Lartë dhe statutin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Tejkalimi juaj është skandaloz, si për kërkimin e CV-së nga të emëruarit e Ministrit, po ashtu edhe për kërkesën për planin strategjik para konsolidimit të organeve të Këshillit Drejtues”, thuhet në letrën e Bytyqit dërguar për rektorin e universitetit të Ferizajt.

“Çuditem ku e merrni këtë guxim dhe me ç’bazë veproni kaq jashtëligjshëm, apo udhëhiqeni nga qëllim tjera, mbase edhe meskine, në tërë këtë paudhësi tënden!. Përmes kësaj shkrese dua t’ua bëjë me dije se jeni në shkelje të ligjit dhe nuk jeni as në të drejtën tuaj për sa i takon autoritetit që të jep petku i Rektorit dhe as nuk keni kompetenca të tilla”, thuhet tutje në shkresën e tij.

Ai kishte kërkuar nga Bajraktari që të distancohet nga këto veprime.

“Ta ndalni menjëherë këtë paturpësi shantazhuese ndaj të emëruarve dhe të gjitha veprimet tuaja jashtë kompetencave tuaja zyrtare, në të kundërtën do të pasojnë masat ligjore”, kishte thene Bytyqi.

Një ditë më pas, me 15 nëntor kishte ardhur edhe përgjigja e rektorit, Agron Bajraktari për të.

Bajraktari i kishte thënë Bytyqit në shkresën e tij se i respekton ligjet dhe aktet nënligjore në përpikmëri.

“Sa i përket përmbajtjes së shkresës, theksoj se nuk i kamë kaluar asnjëherë kompetencat e mia dhe mbledhja  të cilës ju i referoheni, ku është biseduar për CV-të respektivisht biografitë dhe Planin Strategjik është thirrë dhe udhëhequr nga Kryesuesi i Përkohshëm i Këshillit Drejtues, derisa unë kam qenë prezent në cilësinë e rektorit ashtu siç parashihet në ligj”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se kërkesa për CV/biografitë për anëtarët e rinj të KD të emëruar nga Bytyqi, ka ardhur nga kryesuesi i përkohshëm dhe anëtarët.

“Duke qenë se të emëruarit tuaj nuk ishin persona të njohur as për ta as për publikun dhe biografitë e të gjithë anëtarëve të KD-së, do të vendosen në ueb-faqen e institucionit”, ka shtuar Bajraktari.

Rektori i UShAF ka thënë se kërkesa për biografinë e tyre është legjitime dhe e arsyeshme dhe se kupton pse është fyer dikush nga kjo çështje.

“Ashtu siç nuk e kuptoj çfarë të keqe ka përgatitja dhe prezantimi i strategjisë të anëtarëve të KD-së të deleguar nga ju, për të ardhmen e universitetit, aq shumë kur sipas Ligjit për Arsim të Lartë, kryesuesi i KD-së së Universitetit zgjedhjet nga radha e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit”, ka shtuar Bajraktari.

KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministri në Detyrë por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Rektorët kanë shtuar se ndërhyrjet e Bytyqit në universitetet publike i dëmtojnë përpjekjet e tyre për të ngritur cilësimin e arsimit të lartë publik dhe i bëjnë dëm Kosovës në sferën ndërkombëtare.

“I garantojmë të gjithë hisedarët e arsimit të lartë, sidomos studentët, profesorët dhe administratën e universiteteve publike, por edhe hisedarët e tjerë jashtë universiteteve, se asnjë politike dashakeqe e asnjë ministri nuk do të mund të dëmtojë autonominë e universiteteve publike dhe lirinë akademike, të garantuar me ligj”, thuhet në reagimin e tyre.

Bytyqi me 10 shtator kishte emëruar tre anëtarë në bordin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara (USHAF) në Ferizaj. Të emëruarit janë Samet Dalipi, Shaqir Ukshini dhe Fitore Neziri.

Bytyqi ka dhënë dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate më 26 gusht, duke thënë se se dikasteri që ai e udhëheq ka qenë i kapur politikisht dhe nuk ka pasur hapësirë për marrjen e iniciativave. Pas kësaj me 3 gusht Bytyqi doli në partinë e Shpend Ahmetit, PSD

Ndërsa, Këshilli Drejtues është organi kryesor qeverisës i universiteteve. Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

www.kallxo.com