ORCA: Ndërhyrja e parë e Qeverisë në Agjencionin e Kosovës për Akreditim do të përballet me protesta

Organizata për Cilësinë në Arsim (ORCA) sot ka protestuar para Qeverisë, kundër ndërhyrjeve politike në pavarësinë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Ata paralajmëruan protesta nëse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj apo ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ndërhyjnë në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Gramos Buçinca nga ORCA tha se pyetja kush o ma i forti bëhet për ndeshjet e karatesë, xhudos, boksit apo sporteve të rënda.

Ai tha se kjo pyetje nuk do të duhej të shtrohej për çështje të republikës, mirëpo meqenëse kryeministri është i sporteve të rënda atëherë po i përgjigjemi.

“Kush o’ ma i fortë? Kryeministri apo Këshilli Shtetëror i Cilësisë? Përgjigja -kryeministër është Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Sepse institucioni i njëjtë ju ka zgjedhur juve kryeministër dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ju ka zgjedhur Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje Buçinca tha se 61 deputetë e kanë votuar kryeministrin, ndërsa 76 deputetë e kanë votuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

“Ma i fortë politikisht e moralisht është Këshilli Shtetëror i Cilësisë”, theksoi ai.

Ai theksoi se Ligji për Agjencitë e Pavarura e njeh Agjencinë e Kosovës për Akreditimit si të pavarur dhe si e tillë Qeveria nuk mund të ndërhyjë, duke shtuar se Ligji për Arsimin e Lartë, e njeh AKA-në si të vetmin institucion për akreditim.

“Në rast se kryeministri dhe ministri i Arsimit  provojnë të vënë dorë mbi Agjencinë e Kosovës për Akreditim, ne do t’i padisim për keqpërdorim të pozitës zyrtare sepse ligjet në fuqi tregojnë qartë se kryeministri dhe ministri nuk mund të vendosin për çështjet e akreditimit”, tha Buçinca.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

Ndërkaq ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte kërkuar që çështja e mosakreditimit të universiteteve publike të adresohet në Qeveri.

https://kallxo.com/pervec-tri-universiteteve-publike-kshc-ua-terheq-akreditimet-edhe-4-kolegjeve-private/

.