'ORCA’ dhe ‘Admovere’ gjuajnë me baltë Rektoratin - VIDEO

Organizatat që merren me cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë, ‘ORCA’ dhe ‘Admovere’, sot përmes një aksioni simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, kanë akuzuar profesorët e UP-së për plagjiaturë dhe Këshillin e Etikës, që nuk i ka hetuar këto pretendime të organizatave.

Proestuesit kanë gjuajtur me baltë objektin e Rektoratit, duke thënë se në këtë rast ‘Universiteti është gjuajtur në lloq’.

 

Shkelzen Gashi nga ‘Admovere’ tha se kjo organizatë me 21 shtator të vitit 2018 kishte publikuar një raport, ku bëhej fjalë për plagjiaturat e stafit akademik të UP-së.

Sipas Gashit, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, në një emision televiziv kishte bërë thirrje që të gjitha pretendimet dhe dëshmitë për plagjiaturë, të dërgohen në instancat përkatëse të UP-së.

“Dy javë pas këtij debati televiziv, me 31 tetor 2018, ‘Admovere’ e ka deponu në Këshillin e Etikës dokumentacionin me dëshimtë për plagjiaturë, fillimisht për dy pjesëtarë të stafit akademik të UP-së, si dy prej rasteve më flagrante të plagjiaturave. Tek pas një viti, me 12 nëntor 2019, Këshilli i Etikës ka marrë vendim që t`i hedhë poshtë dy denoncimet tona, ndonëse një vendim të tillë duhej ta merrte më së largu pas 70 ditëve, e jo pas 377 ditëve”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se këto denoncime janë hedhur poshtë, sipas tij, për arsye procedurale dhe mungesë të kompetencës, nga ana e Këshillit të Etikës.

Kurse Rron Gjinovci nga ORCA, ka thënë se kjo organizatë ka dorëzuar para Këshillit të Etikës me 8 tetor të vitit 2018, denoncimin se 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, janë avancuar me punime në revista mashtruese. Sipas Gjinovcit, këta profesorë kishin publikuar 7 deri në 19 punime, secili brenda një periudhe një vjeçare e gjysmë. Ai deklaroi kjo gjë është e pamundur.

“Ndërkohë ORCA zhvillojë një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve dhe e ka formu një dosje masive prej 492 faqeve, ku dëshmohet që këta 9 profesorë kanë bërë kopjim pa citim, pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore dhe gramatikore, si dhe paraqitje të së njejtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme. Me datën 23 prill 2019, Scorpus e ka njoftuar ORCA-n se këto dy revista ku janë botuar këto punime janë përjashtuar nga lista të Scorpusit”, ka thënë Gjinovci.

Gjinovci gjithashtu tha se kjo është thirrje prej Këshillit të Etikës e senatit që njerëzit të angazhohen në plagjiaturë, pasi askush nuk do t’i ndëshkojë ata.

Gjinovci tha se aksionet e organizatave do të vazhdojnë, kurse tri kërkesat e tyre janë që të shkarkohet Këshilli i Etikës, të formohet një komision për verifikimin e plagjiaturave dhe një tjetër për verifikimin e të gjithë titujve akademikë.

Këshilli i Etikës përmes një vendimi të datës 12 nëntor të këtij viti, kishte refuzuar pretendimet e organizatës ‘Admovere’ dhe duke i ndaluar procedurat në lidhje me profesorin Mejdi Bektashi, i cili nga organizata në fjalë ishte akuzuar për plagjiaturë.

Këshilli i Etikës ishte bazuar në një vendim të senatit të UP-së të datës 10 maj 2007, ku një komision hetimor nuk kishte provuar se Mejdi Bektashi ka bërë plagjiaturë, në librin e tij ‘Ekonomia’,

Kurse pretendimin tjetër të organizatës ‘Admovere’ për profesorin Arsim Morina, Këshilli i Etikës e ka refuzuar me arsyetimin se nuk ka mandat për të hetuar për plagjiaturë dhe se për këtë është Senati i Universitetit, si organi më i lartë akademik në UP.

Foto: Kallxo.com