Arbërie Nagavci

Nagavci: Zgjedhja e rektorit të ri në UP do të bazohet në meritë e transparencë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se zgjedhja e rektores apo rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës duhet të jetë dhe do të jetë një proces i bazuar në meritë dhe transparencë radikale.

Nagavci theksoi se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka shpallur konkursin për zgjedhjen e Rektores/Rektorit të ri i cili do të jetë i hapur deri më 7 nëntor.

Ministrja shtoi se është në përgjegjësinë e saj që të bëj thirrje e të motivojë kandidatët që gëzojnë integritet, përgatitje e arritje ndërkombëtare akademike, që të konkurrojnë në këtë konkurs publik.

Tutje, Nagavci potencoi se, si ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është e vendosur që të mos ndërhyjë dhe të mos lejojë asnjë ndërhyrje tjetër, në asnjë dimension të procesit të zgjedhjes së rektores/rektorit.

Ministrja tha se e ka detyrim ligjor e moral që t’i mbështes anëtarët përfaqësues të MAShTI-it në Këshillin Drejtues të UP-së.

Bazuar në këtë, ministrja tha se është pajtuar me anëtarët përfaqësues të MAShT-it në Këshillin Drejtues të UP-së që ata të marrin përsipër e të garantojnë një proces të zgjedhjes se rektores/rektorit, që bazohet në parimin e transparences radikale, meritave dhe të sigurojnë monitorimit ndërkombëtar e aktivizmit civil.

Për t’iu ndihmuar në arritjen e këtij objektivi, ministrja theksoi se që dje ka filluar të adresojë zyrtarisht kërkesën për monitorimin e procesit të zgjedhjes së rektores/rektorit të ri.

“Dje iu drejtova me një letër zyrtare Ambasadorit të ShBA-së, dhe do t’i drejtojë të njëjtën kërkesë ambasadorëve të tjerë të QUINT-it dhe atij të Bashkimit Evropian, për mbështetje në këtë proces të rëndësishëm, ashtu si edhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm për përmirësimin e performancës në Universitetin e Prishtinës” – tha thënë ajo.

Arbërie Nagavci shtoi se anëtarët e MAShT-it në Këshillin Drejtues të UP-së do të jenë të pandikueshëm, profesionistë, transparentë dhe në koordinim me monitoruesit ndërkombëtarë dhe atyre të organizatave të shoqërisë civile.

Kjo praktikë nuk është zbatuar asnjëherë deri më sot, sipas ministres.

“Do të sigurohem dhe garantojë që Rektorja/Rektori i ri në kohën time si Ministre do të jetë një zgjedhje objektive e jo i zgjedhur i diskrecionit i konjukturës së vjetër parapolitike e politike siç ishte në të kaluarën e errët” – theksoi ministrja.

Sipas Nagavcit, vetëm një rektore/rektor i zgjedhur në një formë të tillë do të jetë e/i aftë të ndërkombëtarizojë UP-në, ta garantojë: hapjen e pozitave të reja për të staf akademik të mirëpërgatitur, të zbatojë një reformë strukturore të rekrutimit të stafit elitar akademik për secilën pozitë të lirë në UP (që aktualisht mbahen ‘peng’ kundërligjshëm).

Po ashtu, ministrja shtoi se kanë finalizuar draft-Ligjin për Arsimin e Lartë dhe janë në rrugë të mirë për financimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë bazuar në performancën e tyre.

Sipas saj, tash është koha që planet/programet e rektorëve t’i bëjmë publike, t’i shqyrtojmë seriozisht dhe të dakordohemi si shoqëri për ecjen para.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavci.

Me 21 tetor, Naser Sahiti është shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.