Truri dhe diplomat, si t’i bëjmë të punojnë bashkë për Kosovën?

Kosova doli në vendin e tretë prej fundit, në mes të 72 shteteve të botës në rezultatin e PISA ku 15 vjeçarët kosovarë u futën në garë diturie në vitin 2015. Këta nxënës janë produkt i sistemit arsimor me shumë probleme për 20 vite pas luftës.

Duke dalë nga një sistem paralel ku për shkollimin e shqiptarëve u sakrifikuan mësuesit dhe njerëzit lëshuan shtëpitë e tyre, sistemi arsimor ende nuk ka arritur të stabilizohet edhe 11 vite pas shpalljes së pavarësisë.

Testi ndërkombëtar ‘PISA’ për herë të parë e bëri një matje të asaj se çka në të vërtetë fëmijët mësojnë në shkolla dhe sa dinë ta përdorin atë dije në jetën e përditshme.

Në anën tjetër, që nga paslufta, investimet në këtë fushë në përgjithësi janë bërë në nivelin e ndërtimit të shkollave, praktikisht në beton.

Sot kemi një politizim të skajshëm të arsimit para dhe pasuniversitar ndërsa bota akademike në vend është zhytur në kaos për mungesë të profesorëve, mungesë të hulumtimit shkencor dhe diplomave që nuk sjellin vende të punës.

Sipas statistikave të vitit të fundit akademik, rreth 34 për qind të të diplomuarve në shkollë të mesme u regjistruan në universitet. Ndërsa ky vit prodhoi mbi 10 mijë diploma Bachelor.

Megjithëse rrënjët e reformës në sektorin e arsimit mund të gjenden në arsimin parauniversitar, ky artikull fokusohet në shkollimin e lartë dhe nevojat për ndryshime dhe reforma.

Investimet në këtë sektor tregojnë rezultate graduale dhe kjo e ka bërë të vështirë interesimin e qeverive (që në Kosovë janë jetëshkurtëra) për ta bërë realisht prioritet.

Strategji shumëvjeçare mbi harmonizimin e arsimimit me nevojat e tregut të punës

Nuk është dëgjuar rrallëherë të thuhet se në Kosovë ‘vlojnë’ ekonomistët e juristët. Dhjetëra shaka janë bërë edhe në kurriz të kamarierëve e shërbyesve të ndryshëm me grada Master.

Qeveria e ardhme duhet të mendojë seriozisht për një strategji kombëtare për studimin e nevojave të tregut të punës dhe përshtatjen e këtyre nevojave me drejtimet që ofrohen për studim. Kjo strategji nuk duhet kufizuar vetëm në nevojat e tregut të Kosovës, por edhe në kërkesat e tregut të punës në rajon dhe Europë.

Aktualisht, kemi shkallë të lartë të papunësisë tek të diplomuarit  në shkenca shoqërore. Kurse, kemi deficit kuadrosh dhe studentësh në shkenca natyrore, matematikore e të ngjashme. 

Pavarësisht se partitë politike e kanë identifikuar këtë problematikë dhe kanë dhënë premtime, deri më tani nuk është bërë asgjë. Shembull, nuk kemi bursa të veçanta për studentët e bujqësisë, për të cilën i japim 40 milionë euro grante e subvencione në vit. 

Apo Qeveria që si prioritete i kishte vendosur investimet në energjetikë dhe miniera, por e kishte harruar fakultetin e Elektro-Energjetikës. Qeveria ishte alarmuar nga mediat për rrezikun e mbylljes së Degës së Elektro-Energjetikës në Fakultetin Teknik, për shkak të mungesës së kuadrove. Si ide u përmend edhe importimi i profesorëve për ta shpëtuar këtë dikaster.

Në këtë pikë, megjithatë, duhet të evitohet tendenca e marrjes së vendimeve arbitrare dhe impulsive për të zgjidhur problemin e krijuar tash e sa vite. Një qeveri asnjëherë nuk do duhej të shkelte mbi autoritetin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë sikur që ka bërë Ministri në largim Shyqiri Bytyqi i cili së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, konsideruan se disa drejtime të Fakultetit të Mjekësisë duhet të pranojnë më shumë studentë.

Kështu Bytyqi obligoi Fakultetin ta zgjerojë listën e të pranuarve duke e injoruar mendimin e ekspertëve të Agjencisë së Akreditimit që përcaktojnë numrin e studentëve që duhet pranuar në çdo drejtim konform kritereve për akreditim.

Qeveria e ardhshme do të duhej që strategjinë e lartpërmendur t’ia besojë Agjencisë së Akreditimit, gjegjësisht profesorëve të zgjedhur në Këshillin Shtetëror të Cilësisë në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Shkencave që të parashikojnë kohën e duhur për  shtytjen apo pauzimin e programeve studimore karshi nevojës në treg të punës. Normalisht, secila strategji duhet të ketë edhe imputin e bizneseve për nevojat e tyre.

Një strategji e tillë do duhej të implementohej në periudha 10 vjeçare në mënyrë periodike.

Duke filluar nga shkollat e mesme, duhet të zhvillohet një sistem i orientimit në karrierë dhe stimulimi i zgjedhjes së fushave deficitare.

Këto fusha mund të përfshijnë bujqësinë, energjetikën (që përfshin studimet për energjinë alternative), fushën e teknologjisë informative, turizimin, teknologjinë ushqimore e të tjera.

Ndërkohë, secili fakultet duhet të marrë përsipër të krijojë të ashtuquajturit “trupa këshildhënës” që përbëhen prej kompanive, investuesve të sektorit privat e publik që janë të interesuar në punësimin e kuadrove të caktuar.

Ky trup e mban të informuar sektorin akademik për nevojat specifike në treg dhe kështu dizajnohen dhe modifikohen programet në vazhdimësi.

Profilizimi i universiteteve

Për t’ia shtuar problemit të hiperprodhimit të diplomave në programe të caktuara, përpos  në Universitetin e Prishtinës, në 10 vitet e fundit, programet e njëjta kanë nisur të ofrohen edhe në universitetet rajonale në gjashtë komunat kryesore të Kosovës.

Përpos programeve, disa prej këtyre universiteteve janë dëshmuar që edhe misionet i kanë të kopjuara, ndërsa katër prej tyre funksionojnë me statute të përkohshme.

Ndryshe prej UP-së që ka autonomi më të madhe veprimi edhe në aspektin buxhetor, universitetet tjera ende kontrollohen në masë të madhe nga MAShT.

Ideja e nisur nga kjo qeveri për reduktimin e universiteteve që u hapën me nismën e Hashim Thaçit, u prit me shumë reagime. Ideja u hesht, ndërsa debati për cilësinë e këtyre universiteteve u ringjall me vendimin e fundit të AKA-së për të mos i akredituar tre prej tyre.

Në tavolinë ishte edhe ideja e profilizimit të universiteteve. Disa prej këtyre universiteteve më parë kishin funksionuar si degë të UP-së me programe të profilizuara në fusha të caktuara për secilin komunë.

Kështu Mitrovica mund të jetë qyteti akademik i metalurgjisë, gjeologjisë e të tjera. Ferizaj tani ka Fakultet vetëm për Shkenca të Aplikuara.

Universitetet publike të hapura nëpër komuna do duhej të ktheheshin në degë të UP-së vetëm me drejtimet me më së shumti traditë në këto vende. Kështu prodhohet diploma e specializuar më vulën e një universiteti me afro 50 vite jetë dhe të ranguar jo keq në rajon.

 

Infrastruktura studimore

Përveç nevojave për reformë të thellë në strategjinë kombëtare për arsim, ky sektor ka edhe nevoja imediate në çështje krejt teknike dhe shpeshherë banale.

Kushtet e studimit nëpër fakultete të universiteteve publike nuk plotësojnë standardet jo vetëm në fushën e studimeve por ndonjëherë edhe thjeshtë për sigurinë e studentëve e stafit brenda.

Vetëm këtë vit, një shi shkaktoi dëme të konsiderueshme brenda objektit të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe Filologjisë.

E kur jemi te FShMN, ky universitet me kuadro deficitare po vuan tash e sa vite në mungesë të objektit për ta. Laboratorët për studentë të fizikës, kimisë e biologjisë ose mungojnë ose nuk janë të pajisura mirë.

Studentët e biologjisë kishin bojkotuar mësimin për të mos bërë shkencë në objektin e  mbushur me myk. Por, Universiteti i Prishtinës vendosi që emergjenca e vërtetë ishte një veturë e re në vlerë prej 38 mijë euro për rektorin.

Një fond i veçantë për përmirësimin e kësaj infrastrukture duhet të alokohet që në vitin e parë të qeverisjes. Po ashtu duhet të investohet në roja dhe mënyra të evitimit apo ndëshkimit të dëmeve në kampuset universitare dhe brenda objekteve.

Nuk dhemb që kampusi i UP-së të bëhet qendër e aktiviteteve dhe vendqëndrimit të të rinjve por kjo kërkon investime në ndriçim dhe pastrim.

 

Politika duart larg

Interesi i politikës për investim në arsim është treguar i vogël, por jo edhe interesimi për ta kontrolluar këtë sektor. Kjo për shkak se shihet si një lum mundësish punësimi që përkthehen në vota klienteliste.

Politikanët kanë tentuar ta përdorin ndikimin në arsim edhe për të kryer favore të thjeshta siç ishte ajo e Ramush Haradinaj për ta regjistruar në UP djalin e këshilltarit të tij.

Pasoja më të rënda pati intervenimi i këtij kryeministri duke shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017, që lëndoi rëndë pozitën e Agjencisë së Akreditimit në organizata ndërkombëtare. Haradinaj i bëri presion publik me tone populliste edhe bordit aktual të KShC-së.

Bordi i Universitetit të Prizrenit ku ka anëtarë të NISMA-s Socialdemokrate zhvilluan një proces shumë problematik për përzgjedhjen e rektorit atje.

Rektori i sapozgjedhur në Universitetin e Gjakovës është njeri i PDK-së, ndërsa një pjesë e stafit të Universitetit tè Pejës janë po ashtu nga PDK-ja.

Qeveria e ardhshme duhet të qëndrojë larg universitetit dhe nuk guxon të ndërhyjë në asnjë formë në punën e Agjencisë së Pavarur të Akreditimit. Hapi i parë drejt ruajtjes së kësaj pavarësie është emërimi sa më i shpejt i Drejtorit të Agjencisë, pozitë kjo që u mbajt pezull nga kjo qeveri duke lejuar që UD-të e zgjedhur nga ministri të udhëheqin me AKA-në.

Duhet bërë përpjekje që këshilli i ardhshëm të përbëhet nga profesorë/e të pensionuar, akademikë ose ekspertë të fushave kryesore që vendosin për akreditimin e programeve dhe institucioneve. Mbajtja në këtë këshill të profesorëve që vazhdojnë të punojnë në universitete publike apo kolegje private rrit rrezikun e konfliktit të interesit, presioneve e shantazheve në kohën kur ky këshill merr vendime. 

Tani për tani, profesorët dalin jashtë nga salla kur diskutohet kolegji/ universiteti apo drejtimi i tyre, megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme për të evituar konfliktin e interesit.

Politikanët që janë edhe ligjërues nuk duhet të tolerohen për mungesat në detyrat akademike edhe nëse detyrohen të zgjedhin njërën ose tjetrën.

 

Kolegjet private

Institucionet private të arsimit të lartë në Kosovë nuk i nënshtrohen as gjysmës së presionit, vëzhgimit publik dhe mediatik si ato publiket.

Si duket gishti i kritikës është më vështirë të drejtohet tek bizneset milionëshe të prodhimit të diplomave që shpeshherë kanë edhe lidhje të forta me politikën.

Megjithatë, kjo kategori institucionesh nuk duhet të shihet si armik por si një kartë fuqie që nëse përdoret mirë mund të luhet në favorin tonë.

Kolegjet duhen sforcuar që të respektojnë në përpikëmëri rregullat e akreditimit të vendit duke përfshirë provimin pranues dhe sigurisht rregullat që i nështrohen të gjitha bizneseve tjera.

Kjo nuk do të thotë që kolegjet duhet t’i nënshtrohen strategjisë kombëtare për harmonizimin e programeve me treg të punës. 

Ato duhet të jenë të lira të hapin çfarëdo programi që dëshirojnë përderisa i plotësojnë kriteret e parapara sipas ligjit, që aplikohen nga Agjencioni i Akreditimit. Kjo mundëson një konkurrencë të shëndetshme në treg për sektorin privat dhe publik dhe nxit ngritjen e cilësisë.

Studentët me vlerësim vetanak mund të zgjedhin të studiojnë në një kolegj që kushton shumë më shumë se universiteti publik nëse konsiderojnë se prodhon diplomë që i siguron punë apo sukses akademik.

Çfarë duhet të ndodhë është një veting mbi pronësinë e kolegjeve dhe lidhjen e tyre me politikanë dhe kontroll strikt mbi çdo fond publik që për çfarëdo arsye shkon te këto kolegje.

MAShT duhet të rishikojë licensat e kolegjeve në mënyrë rigoroze çdo tri vjet.

Pronarëve të kolegjeve private duhet t’u ndalohet puna e udhëheqësit në secilin institucion të fushës së arsimit ku potencialisht mund të kenë ndikim në vendimmarrje lidhur me kolegjet.

Duhet të bëhet rritja urgjente e stafit të Agjencisë së Akreditimit për të mundësuar monitorimin periodik të përmbushjes së rregullave nga kolegjet por edhe universitetet publike në mënyrë që këto universitete vazhdimisht të informohen se ku janë me përmbushjen e kritereve.

Investimi në shkencë dhe ndalja e mashtrimit akademik

Me kontributin e faktorëve të lartpërmendur dhe jo vetëm, institucionet e arsimit të lartë në Kosovë e kanë anashkaluar komponentën e studimit. 

Pra, studentët kanë marrë informacione që janë mësuar përmendësh.

Kjo ka bërë që nga studentët të mos dalin shumë studime apo të reja nga fusha të cilën e studiojnë, siç është rëndom roli i universiteteve në botë.

Punimet shkencore, zbulimet, hulumtimet nuk janë stimuluar apo përkrahur financiarisht. Stafi akademik shpeshherë i stërngarkuar punimet i ka kryer për nevojë të avancimeve dhe përmbushjes së numrit të nevojshëm.

Kuadrot e mira sidomos në shkencë nuk mungojnë dhe me përkrahjen e duhur mund të krijohen revista shkencore vendore dhe studentore.

Qeveria Haradinaj solli shumë ministri, ndër tjera edhe atë të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Nëse një vendim i ardhshëm nuk e zhbën këtë ministri, investimi në shkencë duhet të jetë prioritet financiar.

Mashtrimi akademik dhe plagjiati kanë qenë virus i vazhdueshëm i institucioneve të arsimit të lartë, si te studentët edhe te stafi akademik.

Megjithatë, Komisioni i Etikës në UP ka lëshuar më shumë vërejtje me shkrim sesa sanksione të tjera.

Hapat në këtë drejtim duhet të përfshijnë zhvillimin e softuerit nacional kundër plagjiatit.

Universiteti i Prishtinës tashmë ka nisur procedurat e tenderimit për zhvillimin e një softueri të tillë që kontrollon punimet shkencore për plagjiat.

Një qeveri e ardhshme duhet të mendojë për krijimin e softuerit nacional kundër plagjiatit nëpër të cilën duhet të kalojë të paktën secila temë diplome e studentëve dhe punim shkencor i stafit akademik.

Ky sistem duhet të ketë materiale nga të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në vend dhe materiale të tjera online.

Problemet e lartpërmendura dhe jo vetëm do ta ndjekin qeverinë e ardhshme dhe ndoshta tjetrën pas saj. Investimi dhe puna në arsim është afatgjate dhe nuk sjell rezultate brenda vitit. Harmonizimi i tregut të punës me arsimin mundëson edhe zhvillim ekonomik dhe rritje të punësimit, përderisa masat e tjera sigurojnë cilësi në arsim të lartë dhe diploma të vlefshme nëpër botë. Largimi i politikës dhe korrupsionit nga ky sektor len shpresë për vullnetin e kuadrove tona për të kontribuar në vend dhe kthimit të trurit që po largohet me të madhe tani.

 

Doruntina Baliu është gazetare dhe redaktore e lajmeve në KALLXO.com. Ajo është studente në Master ndërsa  ka punuar me fokus në sektorin e arsimit për rreth katër vite dhe është shpërblyer me çmimin për storjen më të mirë në arsim për vitin 2017 për gazetarët e rinj.