Tre skenarët e Ministrisë së Arsimit për vitin e ri shkollor

Gjatë raportimit të  ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport është diskutuar për mundësitë e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/21.

Ministri Likaj ka bërë të ditur se janë përgatitur tre skenarë dhe se në ditët në vijim do të publikohen manualët e këtyre skenarëve.

Sipas ministrit, skenari i parë parasheh mësim me prezencë fizike në institucionet parashkollore dhe shkolla, i dyti ka të bëjë me rikthimin e pjesshëm (mësimi i kombinuar – prezencë dhe mësim në distancë) dhe i treti mësim në distancë.

Ministri ka bërë të ditur se shkollat do të dezinfektohen dhe nëse mësimi do të zhvillohet në distancë do të krijohen kushtet të reja me pajisje teknologjike, të mbahen trajnime për mënyrën e zhvillimit të mësimit në distancè dhe për vlerësimin e nxënësve.

Pjesë e manualit të ri për fillimin e vitit shkollor është paraparë të jenë mjekët dhe psikologët, të cilët do të kujdesen për shëndetin e fëmijëve.

Gjithashtu, ministri Likaj ka përmendur mundësinë e krijimit të ‘smart board’ apo tabelave digjitale përmes të cilave nxënësit mund ta kenë mësuesin e tyre virtualisht në klasë.

“Në qoftë se mbyllet një institucion përmes smart boardave duke shfrytëzu platformat, arsimtari do të jetë në klasë dhe do të komunikojë me nxënësit”, ka thënë Likaj.

Sipas MASh-it buxheti i planifikuar për të tre skenarët është 5.6 milionë euro dhe është  i ndarë në sektor: buxheti për mësimin në distancë është 2.7 milionë, ndërsa për higjienën e shkollave nëpër komuna janë ndarë 2,5 milionë euro.

Gjithashtu është diskutuar për gabimet dhe gjuhën e përdorur në tekstet shkollore dhe ndryshimin e tyre.

“Ne i kemi analizuar raportet të cilat kanë ardhur nga raportet e mësimdhënësve, duke e pa sfidën me të cilën do të përballemi, tekstet shkollore për vitin 2020/21 në bashkëpunim me departamentin për arsim profesional, me ekspertët e këshillit, shtëpitë botuese fituese të konkursit kemi arritur marrëveshje që vërejtjet që kanë ardhë të merren parasysh që teksti të dalë sa më cilësor”, ka thënë Enver Osdautaj, këshilltar politik në kabinetin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Ditë më parë Osdautaj ka bërë të ditur se opsionet A, B, C do të zbatohen nga komunat varësisht nga hapësira në objektet shkollore dhe gjendja epidemologjike.

Ministri Likaj diskutoi me Asociacionin e Komunave për fillimin e vitit shkollor