Foto: Universiteti i Mitrovicës "Isa Boletini"

Themelohet Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Mitrovicës

Me vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, është themeluar Qendra për Zhvillim të Karrierës (QZHK).

Qendra fillimisht do të funksionojë në kuadër të Zyrës për Informim dhe Komunikim me Publikun.

Rektori i Universitetit, Alush Musaj, tha se themelimi i Qendrës për Zhvillim të Karrierës (QZhK), në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” është një projekt tepër i rëndësishëm për studentët dhe vetë Universitetin.

“Një qendër e tillë do të jetë një pikë e rëndësishme informacioni dhe ndërmjetësimi për studentët”, ka thnë Musaj.

Ndërsa drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari, tha se kjo qendër do të ndihmojë rritjen e prestigjit të Universitetit dhe do të krijojë mundësi për thithje të grandeve dhe donacioneve të ndryshme që kanë të bëjnë me vetë qendrën, mirëpo edhe vetë Universitetin.

“QZhK do të ndihmojë studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, sa i përket zhvillimit të njohurive dhe shkathtësive që do t’u ndihmojnë për punësim, ofrimin e mundësisë për studentët që të fitojnë përvojë pune gjatë studimeve, ofrimin e informatave për tregun e punës, ofrimin e mundësisë për qasje në informata për studime, trajnime, seminare, ligjërata dhe aktivitete tjera”, tha ai.

Ndryshe, Qendra për Zhvillim të Karrierës do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive, njohurive dhe shkathtësive, të cilat janë kyçe për procesin e punësimit të studentëve dhe të diplomuarve, do të ofrojë shërbime të digjitalizuara për edukim, këshillim, zhvillim dhe orientim në karrierë etj.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që ta miratojë raportin e ekspertëve ndërkombëtar, në të cilin rekomandohet që Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’i tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Në këtë raport ekspertët Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu kanë dhënë vërejtje të shumta e rekomandime se çfarë duhet bërë me këtë universitet.

“Duke parë mungesën e qeverisjes dhe aftësive institucionale, ekspertët janë shumë të shqetësuar për qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë që duhet ta çojë institucionin përpara. Në përfundim, ekipi i ekspertëve konsideron se Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është vetëm pjesërisht në përputhje me standardet e përfshira në manualin e Akreditimit të AKK-së dhe prandaj rekomandon që të mos akreditojë institucionin”, thuhet në raportin e tyre.

Dy eksperte ndërkombëtare që vizituan dhe analizuan punën në Universitetin publik të Mitrovicës “Isa Boletini”, konstatuan se ky institucion nuk duhet të akreditohet për shkak të parregullsive në sistemin udhëheqës dhe menaxherial të këtij universiteti.

Ekspertët ndërkombëtarë: Të mos akreditohet Universiteti i Mitrovicës

.