Testi PISA 2018: 32% e nxënësve të Kosovës ngacmohen në shkolla

Përveç njohurive dhe shkathtësive në fushën e matematikës, shkencës dhe leximit, nxënësit 15 vjeçarë të Kosovës që kanë hyrë në testin PISA 2018, u pyetën edhe për qëndrimet e tyre rreth drejtimeve që dëshirojnë të studiojnë, inteligjencës dhe kushteve të shkollës.

PISA 2018 ka pyetur studentët në lidhje me përvojat e tyre për ngacmimet në shkolla, qoftë ato fizike apo verbale.

PISA i ka pyetur  edhe për shpeshtësinë e ngacmimeve.

Po ashtu, pyetjet e tjera në lidhje me ngacmimet kanë qenë nëse përvojat e ngacmimit kanë qenë në mediat sociale, nëse studentët e tjerë i kanë ngacmuar ata, nëse ata kanë ngacmuar ndonjë student tjetër..e të tjera.

Rreth 32% të nxënësve të Kosovës që kanë hyrë në testin PISA kanë deklaruar se kanë qenë të ngacmuar në shkollë në çfarëdo forme.

Mesatarja e OECD është mbi 20% kështu që nxënësit e Kosovës kanë kaluar mesataren e OECD për këtë çështje.

Po ashtu, në pyetjen nëse të tjerët më kanë ngacmuar qëllimisht, 18% e nxënësve kanë deklaruar se janë ngacmuar në shkollë nga bashkëmoshatarët e tyre.

Në këtë pyetje mesatarja e OECD është mbi 5%, kurse Kosova e ka 18%.

Në pyetjen nëse nxënësit e tjerë kanë prekur apo dëmtuar gjërat e tyre personale, 11% e nxënësve e kanë deklaruar një gjë të tillë.

Rezultat i njëjtë është edhe tek pytja nëse nxënësit e tjerë kanë bërë shaka me ta dhe nëse janë sulmuar fizikisht nga nxënësit në shkolla.

Ky rezultat është paraqitur në raportin e PISA-s 2018, tek volumi i tretë ku matet  se çfarë nënkupton shkolla tek nxënësit.

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë. Madje në disa fusha ka edhe regres.

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.

Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.