Tabuja që "mësohet" në heshtje

Elona Z.* këtë vit ka mbushur 18-vjet. Ajo pak ka fituar njohuri rreth seksualitetit, marrëdhënieve dhe sëmundjeve që mund të transmetohen.

“Krejt çka kemi mësu në shkollë është në lëndën e Biologjisë për disa ndryshime të trupit”, thotë ajo për KALLXO.com.

Ajo tregon se shakaja ka plasur kur kjo temë është diskutuar ndonjëherë në shkollë, si burim i parë i informacionit për edukimin seksual.

“Profesori apo mësuesja kurdo që kemi arritur te kjo lëndë mësimore, na thonin: “S’është edhe aq e rëndësishme, por është mirë me i ditë”, thotë ajo.

“Ndërsa, reagimet e disa nxënësve kanë qenë: “Kuku çka po mësojmë!”. Disa kanë bërë edhe hajgare”, thotë ajo.  “As mos të flasim që kjo temë me u çelë në shtëpinë time, ku mami më thoshte: “Shuj se marre!”, shton ajo.

Deklarata e 18-vjeçares vë në pah se edukata seksuale vazhdon të mbetet një temë tabu në Kosovë.

Të rinjtë që ndjekin 12 vite shkollim nuk kanë njohuri të mjaftueshme për aspektet emocionale, fizike dhe sociale të seksualitetit.

Por, sipas ekspertëve, përveç shkollës, barra bie edhe mbi prindërit, të cilët duhet t’i informojnë e t’i përcjellin ndryshimet e fëmijëve të tyre. 

Çka është edukata seksuale?

Edukata seksuale nënkupton që fëmijët dhe të rinjtë të pajisen me njohuri, aftësi, qëndrime dhe vlera që do t’i fuqizonte ata të kuptojnë shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tyre.

Edukata seksuale po ashtu nënkupton që fëmijët dhe të rinjtë të zhvillojnë marrëdhënie të respektueshme sociale dhe seksuale si dhe të parashikojnë situata se si zgjedhjet e tyre ndikojnë në mirëqenien e tyre dhe të të tjerëve.

Sipas studimeve, edukimi seksual ka efekte pozitive, duke përfshirë rritjen e njohurive të të rinjve dhe përmirësimin e qëndrimeve të tyre në lidhje me shëndetin dhe sjelljet seksuale dhe riprodhuese.

 Shkolla – burimi i edukimit seksual?

Në Kosovë, nxënësit mësojnë për edukatën seksuale përmes lëndëve të ndryshme, por nuk është si lëndë e veçantë.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë bërë të ditur për KALLXO.com se edukata gjithëpërfshirëse seksuale është pjesë e kurrikulës dhe programeve lëndore/mësimore prej klasës se parë deri në klasën e dymbëdhjetë.

Ndërsa, deri tani janë trajnuar 1 mijë e 300 mësimdhënës për lëndët e edukimit seksual.

“Ne jemi të fokusuar në trajnimin e mësimdhënësve i cili është në proces. Deri me tani janë trajnuar 1,300 mësimdhënës dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thotë Ministria më tej.

Petrit Tahiri nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), thotë se mësimdhënësit po ashtu duhet të kenë burime dhe materiale alternative gjatë procesit mësimor kur trajtohet tema e edukatës seksuale.

“Konsideroj që mësimdhënësit duhet përkrahur që sa më lehtë të kenë qasje në këto materiale shtesë dhe të jenë të trajnuar që këto tematika të i trajtojnë si tema kros-kurrikulare në mënyrë që edhe efekti i tyre të jetë më i madh”, thotë Tahiri.

Ai shton se trajtimi i tematikave që mund të konsiderohen si tema tabu, duhet të trajtohen në sistemin arsimor, por jo domosdoshmërisht secila nga këto tematika të jetë si lëndë e veçantë.

“Korniza e Kurrikulës së Kosovës krijon mundësi shumë të mira që kjo tematikë të trajtohet në fusha të ndryshme kurrikulare. Për më tepër, lejon autonomi të mjaftueshme për mësimdhënësit për të shfrytëzuar burime alternative në procesin mësimor”, shton më tej Tahiri.

Kurse, psikologia Vlora Fejza konsideron se edukata seksuale duhet të jetë si lëndë e veçantë në sistemin arsimor, pasi si e përfshirë në lëndë të tjera mësimore nuk është e mjaftueshme.

“Jo rrallë psikologë kanë ngritur si temë çështjen e edukatës seksuale si lëndë që do të duhej të përfshihej në shkolla”, thotë ajo për KALLXO.com.

Prindërit – bërthama e edukimit

Familja është vendi ku fëmijët mësojnë për herë të parë dashurinë dhe kujdesin për veten dhe për të tjerët.  Fëmijët janë qenie që observojnë mesazhet e pathëna e të thëna për marrëdhëniet, seksualitetin dhe rritjen.

Një studim i bërë në Angli në vitin 2020 ka vënë në pah se nëse prindërit nuk i mësojnë fëmijët e tyre për seksin dhe seksualitetin, atëherë ata do të mësojnë për të përmes burimeve të tjera, e që nuk është forma më e mirë e mësimit.

Genta Krasniqi nga Mitrovica thotë se vajzën e saj është munduar ta mësojë për ndryshimet që i ndodhin gjatë fazës së pubertetit.

“Pak para se me i mbushë vajza ime 12-vjeç, unë jam ul dhe kam biseduar me të se disa ndryshime do t’i ndodhin që nga kjo moshë deri në moshën 18-vjecare”, thotë ajo.

“E kam informuar se do të ketë ndryshime në pjesë të trupit të saj, por ajo nuk duhet të ndihet e turpëruar dhe duhet t’i pranojë çfarëdo ndryshimi që i ndodhë”, shton Krasniqi më tej për KALLXO.com.

Sociologu Genc Xërxa është i mendimit se përveç shkollës, roli i prindërve është thelbësor në edukimin e fëmijëve në aspektin seksual. 

“Sistemi jonë arsimor me shumë bazohet në vija të trasha dhe në mënyrë sipërfaqësore i diskuton këto tema si në lëndën e biologjisë apo edukatës qytetare”, thotë ai.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që fëmijët të gjitha pyetjet që u vijnë si rezultat i  ndryshimeve të tyre trupore e psikike në adoleshencë, t’i diskutojnë me prindërit.

“Edhe prindërit duhet t’i informojnë ashtu siç duhet, pa ekuivoke apo anashkalim të thelbit, gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së fëmijëve nga infeksionet e ndryshme, shtatzënitë e padëshiruara, apo sistemin e tyre riprodhues varësisht nga gjinia që kanë”, shton Xërxa për KALLXO.com.

Edhe psikologia Vlora Fejza thotë se prindërit luajnë rolin primar në zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve.

Sipas saj, edukimi seksual është tejet i rëndësishëm dhe secili duhet të jetë i informuar në lidhje me të.  

“Ka të rinj që janë shumë kurioz të dinë rreth seksit e sidomos në kohën e pubertetit, andaj prindërit duhet t’i nxitin fëmijët e tyre të flasin me ta për gjithçka që ju intereson”, thotë Fejza.

Ajo po ashtu jep disa këshilla se si t’i qasen prindërit fëmijëve për këtë çështje.

“Tregoni se jeni i ndërgjegjshëm dhe i përfshirë, dhe përpiquni të keni një dialog të vazhdueshëm me fëmijën tuaj për sa i përket jetës seksuale të tyre, sepse duke biseduar me ta lirshëm, ju i mbroni dhe i informoni ata se si duhet të mbrohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme”, shton më tej psikologia.

Ndërsa, Zana Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet “Artpolis”, thotë se  është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë të informuar saktë për trupin e tyre.

“Të kenë njohuritë e duhura sa i përket zgjedhjeve të tyre, të jenë të gatshëm dhe të marrin hapa të  cilët nuk janë në presion nga bashkëmoshatarët e tjerë, të jenë të informuar për të thënë jo edhe kur nuk ndihen rehat”, thotë Hoxha për KALLXO.com.

Ajo thekson se është shumë e rëndësishme që prindërit të flasin më fëmijët haptas për trupin, nevojat, zhvillimin hormonal të të rinjve dhe fëmijëve. 

“Prindërit duhet të flasin dhe t’u thonë fëmijëve që është në rregull ta kontrollosh trupin tënd, është OK që për shkak moshës që ke hormonet janë më të lulëzuara, është OK që t’i të ndjesh dhe t’i shprehesh ndjenjat në mënyrë tjetër”, shton Hoxha.

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme

Një numër i madh i adoleshentëve janë seksualisht aktivë në botë.

Sipas Anketës së Mbikëqyrjes së Sjelljes së Rrezikut të të Rinjve, në vitin 2015, 41% e nxënësve të shkollave të mesme kishin pasur seks të paktën një herë.

Sipas po këtij hulumtimi, shumë nxënës të shkollave të mesme janë të angazhuar në sjellje të rrezikshme seksuale që kanë të bëjnë me shtatzënitë e padëshiruara, përfshirë infektimin me HIV.

Në Kosovë, sipas të dhënave, gjatë vitit 2018, janë regjistruar 65 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. 

Gjinekologia Merita Vuniqi Krasniqi thotë se të rinjtë nuk janë mirë të informuar për infeksionet që transmetohen gjatë marrëdhënieve seksuale.

“Ka shumë rëndësi që prindërit të informojnë fëmijët e tyre për këto infeksione në moshën e adoleshencës, pasi ata janë burimi i parë i informatave për ta”, thotë ajo për KALLXO.com.

Ajo shton se infeksionet që transmetohen gjatë marrëdhënieve seksuale mund të shkaktohen nga bakteret, viruset ose parazitët.

“Kemi lloje te ndryshme te infeksioneve ku më të shpeshtat janë: Chlamydia; Herpesi gjenital; Gonorrhea; HIV/AIDS; HPV; Sifilisi; Trichomonia”, shton gjinekologia.

Sipas saj, shumë sëmundje seksualisht të transmetueshme mund të shërohen ose trajtohen me medikamente, por pasojat e infeksioneve seksualisht transmisive të patrajtuara mund të përfshijnë: infertilitetin, komplikimet e shtatzënisë, kancerin e qafës së mitrës, sëmundjet inflamatore të pelvikut etj. 

“Përdorimi i mjeteve kontraceptive (p.sh. kondomat) kanë rol shumë të madh në preventimin e këtyre sëmundjeve”, thotë më tej ajo.

*Emri i personit është ndryshuar.