Suzana Manxhuka -Kërliu rizgjidhet dekane në Fakultetin e Mjekësisë

Suzana Manxhuka -Kërliu është zgjedhur për herë të dytë dekane në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, dje në mbledhjen konstituive të Këshillit të Fakultetit.

Manxhuka -Kërliu ka konfirmuar për KALLXO.com se është rizgjedhur për pozitën e dekanes.

“Dje kemi pas zgjedhjet jam rizgjedh, për herën e dytë, katër vite kam qenë dekane dhe jam rizgjedh sërish me vota unanime për dekane”, ka thënë ajo.

Në kohën sa Manxhuka ishte në krye të Fakultetit të Mjekësisë si dekane në mandatin e parë, ajo kishte reaguar në lidhje me rastet e raportimeve për ngacmime seksuale brenda fakultetit.

Suzana Manxhuka -Kërliu është anatomo-patologe e trajnuar në Zagreb, Kroaci, ndërsa si patologe kirurgjikale në “Memorial Sloan-Kettering Cancer Center”-MSKCC/NY, SHBA dhe “European School of Pathology”-EScoP”, në Torino të Italisë.

Ajo gjithashtu ka marrë pjesë si Erasmus Mundus/Basileus/Profesor vizitor në Universitetin e Romës “La Sapienza” dhe si pjesë e Grupit Compostela të Universiteteve në “Basque Country University” në San Sebastian, Spanjë.

Në Universitetin e Prishtinës, ka punuar si Prorektore në strategjinë, misionin dhe vizionin e ndërkombëtarizimit të Universitetit.

Aktualisht, është Dekane e Fakultetit të Mjekësisë, Profesoreshë e Anatomisë patologjike; zv. Kryetare e Task Forcës Mediterane për Kontroll të Kancerit (MTCC); anëtare e Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Internacional kundër Kancerit (UICC) dhe të Shoqatës Evropiane të Patologjisë.

Manxhuka -Kërliu  është fokusuar në edukimin mjekësor, publikime dhe në teknika inovative të mësimdhënies.