Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Studenti humb një vit studimi pas lëshimit teknik që ia mundësoi aplikimin në Fakultetin e UP-së

Endrit Muçaj, studenti i cili vitin e kaluar ka diplomuar në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prizrenit po ankohet  se është dëmtuar nga Universiteti i Prishtinës pas aplikimit të tij  për nivelin Master në drejtimin ‘E drejta Ndërkombëtare.’

Sipas Muçajt, atij i është dhënë e drejta të aplikojë në këtë drejtim në formën online, në të cilin është pranuar në bazë të rezultateve të provimit pranues. Por pas rezultateve preliminare, personeli i Fakultetit Juridik i ka thënë se nuk ka të drejtë që nga Fakulteti i Edukimit të vazhdojë Masterin në drejtimin ku ka aplikuar.

Muçaj tregoi për KALLXO.com se atij i është mundësuar aplikimi online,  i është konfirmuar regjistrimi, ka paguar pagesën e nevojshme të aplikimit, emri i tij ka dalë në listat për nënshtrim në provimin pranues dhe është renditur në listën e të pranuarve me 50 pikë në provim.

Por, sipas tij, në fund kur ka shkuar në Fakultetin Juridik për të përfunduar procedurat e mëtutjeshme i është thënë se ai nuk ka të drejtë të aplikojë në këtë drejtim.

“ Do të marr masa ligjore ndaj Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Fakultetit Juridik se më kanë humbur kohë, rrugë dhe një vit të studimit. Kjo është neglizhencë” tha Muçaj.

Sekretari i Fakultetit Juridik,  Miftar Shala, tha për KALLXO.com se gjatë kontrollimit të dosjeve kanë vërejtur lëshimin teknik.

Sipas tij,  këto janë vetëm rezultatet preliminare dhe kandidati nuk konsiderohet i pranuar përfundimisht.

“ Kandidati Endrit Agim Muçaj, ka konkurruar në Programin Ndërkombëtar, Master me Fakultet jo përkatës konkretisht me Fakultet të Edukimit, që është në kundërshtim me dispozitat e konkursit për pranimin në studimet master” tha Shala.

Sipas Shalës, çdo herë para se të shpallen rezultatet përfundimtare verifikohen dosjet e të gjithë kandidatëve, e kjo ka ndodhur edhe në rastin në fjalë, ku është vepruar sipas konkursit publik, ku ky kriter përcaktohet në mënyrë decidive, si më poshtë:

Në studimet postdiplomike-master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, mund të pranohen kandidatët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor 4 (katër vjeçar)  respektivisht 240 ECTS.

Të drejtë konkurrimi kanë vetëm studentët  që kanë përfunduar studimet Bachelor në drejtimin përkatës (Fakulteti Juridik).

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, për studimet postdiplomike-master për vitin akademik 2020/21 do të regjistrojë 2419 studentë.

Në kushtet e konkursit për aplikim për nivelin e studimeve akademike Master, në vendimin e Senatit të UP-së, thuhet se kandidatët të cilët kanë përfunduar studimet paraprake në një program studimi, mund të konkurrojnë për regjistrim në studimet master në një program tjetër.

Në rast pranimi, Komisioni i Studimeve i njësisë akademike cakton provime diferenciale të cilave duhet t’iu nënshtrohen paraprakisht kandidatët. Komisioni i Studimeve cakton numrin e provimeve varësisht nga shkalla e krahasueshmërisë/ngjashmërisë së programit të ndjekur në studimet paraprake të kandidatit.

Tutje, thuhet se në raste të tilla kandidatët ndjekin ligjëratat në vitin vijues akademik dhe iu nënshtrohen provimeve diferenciale në afatin e qershorit dhe shtatorit.

“Kandidatët do të kenë më së shumti deri në pesë provime diferenciale të cilave do t’iu nënshtrohen para komisionit prej tre anëtarësh ndërsa procesverbalet e provimeve të tilla ratifikohen nga këshilli i njësisë akademike përkatëse” thuhet në vendimin e Senatit të UP-së për aplikim në studimet e nivelit master.

Sipas vendimit, përjashtim nga ky paragraf i konkursit bëhet për programet studimore me specifika të veçanta, të cilat vet i përcaktojnë vetë njësitë akademike.