Universiteti Hasan Prishtina

Foto: Denis Sllovinja

Studentët paguajnë për shërbime, përkundër vendimit për arsim të lartë publik falas

Shkruar nga Arlinda Kqiku

Nëse qeveria merr një vendim dhe gazetarët nuk do e kontrollojnë nëse i njëjti është duke u zbatuar, qytetarët do vazhdojnë të mendojnë që lajmi i dhënë nga qeveria është i vërtetë.

Po të pyeten qytetarët e vendit se a është arsimi universitar pa pagesë, shumica do përgjigjen me po. Edhe kërkimet në internet do ju ofrojnë një realitet të qartë, i cili thotë se me vendim të qeverisë arsimi universitar është pa pagesë.

Një lajm gjysmë i vërtetë i dhënë nga përfaqësuesit e qeverisë krijon një situatë faktike në terren, sidomos në rastin konkret kur lajmi vetëm është transmetuar nga gazetarët dhe nuk është hulumtuar në esencën e tij.

Më 17 shtator të vitit 2021 përfaqësuesit e ekzekutivit, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, me krenari bënë publik vendimin e tyre se duke filluar nga viti akademik 2021/22 arsimi publik në nivelin Bachelor dhe Master do të jetë pa pagesë, ndërsa në studimet  e Doktoraturës ishin paraparë lehtësime.

“Nga 1 tetori i këtij viti, duke filluar nga viti akademik 2021/22 arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelin Bachelor dhe Master. Ndërsa, për studentët e doktoraturës do të ketë lehtësime të veçanta. Sistemi arsimor publik duhet të mbështetet në parimin e solidaritet shoqëror. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor”, kishte thënë Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Të njëjtën gjë e potencoi edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Menjëherë pas këtij vendimi, ballinat e mediave kosovare ‘u vërshuan’ nga lajmi.

Portali “Gazeta Expres”, i cili ka 1.2 milion “Pëlqime” në “Facebook”, raportoi më 17 shtator për këtë vendim të ekzekutivit. Titulli i lajmit ishte Kurti: Nga 1 tetori, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë”, ku jepeshin detaje nga deklarimi i kryeministrit Kurti dhe Ministres Nagavci, se nga kjo datë arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë.

Njashtu sikurse “Gazeta Expres”, raportoi edhe mediumi “Koha.net”, e cila numëron 564 mijë “Pëlqime” në Facebook. Madje titulli i Express dhe Koha.net është i njëjti, Kurti: Nga tetori, arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë. Edhe në këtë artikull mund të gjendet vetëm informata nga deklarimi i Kurtit e Nagavcit.

Media “Telegrafi.com”, po ashtu raportoi për këtë vendim të ekzekutivit me titullin “Nga 1 tetori, arsimi i lartë publik në nivelin Bachelor dhe Master do të jetë pa pagësë”.

Artikulli në fjalë përmban vetëm disa rreshta nga deklarimi i kryeministrit Kurti dhe asnjë deklaratë tjetër.

Lajmi për arsimin e lartë pa pagesë u publikua edhe në median “Kosova Press”, me titullin “Nga 1 tetori arsimi i lartë pa pagesë, Kurti e Nagavci thonë se e përmbushën zotimin e tyre”.

I njëjti artikull sikurse mediat e lartcekura, citon deklarimet e kryeministrit Kurti dhe ministres Nagavci. I vetmi dallim nga mediat e tjera, në këtë artikull deklarimet janë më të plota, dhe i është bashkangjitur edhe video nga konferenca.

Pak më larg se mediat e tjera shkoi agjencia e lajmeve, “Ekonomia Online”, e cila për këtë vendim të ekzekutivit në artikullin “Arsimi i lartë pa pagesë, ekspertët me qëndrime të ndryshme për ndikimin që do ta ketë”, dha një kënd tjetër të këtij lajmi, ku u cituan njohës të sistemit të arsimit, të cilët theksuan si ky vendim ndikon në zhvillimin e arsimit.

Mirëpo, nuk janë marrë detaje nga Universitetet dhe studentet për të parë nëse ata ishin duke paguar për shërbimet e tyre.

Çka ndikon në përhapjen e lajmeve jo të plota, apo të rrejshme?

Lidhur me këtë praktikë të mediave kosovare ku deklarimet e politikanëve shpërndahen pa u verifikuar, ka folur profesori universitar, Milazim Krasniqi. Ai në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se “ekskluziviteti dhe senzacionalizmi”, janë dy faktorët kyq që po ndikojnë në rritjen e këtij fenomeni në mediat kosovare.

“Kosova është përfshirë dhe kontaminuar nga ky fenomen në një mënyrë mjaft virulente. Gara e ashpër për reklama e për audiencë ndërmjet mediave të shumta, i shtyn t’i publikojnë lajmet pa i verifikuar dhe pa i kompletuar. Ekskluziviteti dhe senzacionalizmi janë bërë kuajt e betejave në garat ndërmjet medieve. Këtë gjë e ndihmon mundësia teknologjike, e cila faktikisht mundëson raportim në kohë sa më reale, por edhe ambicia e shfrenuar e publikut për t’u informuar në kohë reale. Pra, teknologjia dhe publiku, paradoksalisht, kanë filluar të bëhen dëmtues të gazetarisë së mirëfilltë profesionale dhe etike”, thekson Krasniqi.

Sipas tij, në tërë këtë trend, inkuadrohet edhe problemi i burimeve të informimit, të cilat ose janë të mbyllura dhe i hapin mundësi spekulimit, ose vetë ato me anën e spinit, manipulimit medial,  përhapin të pavërteta.

Një faktor tjetër që sipas Krasniqit ndikon në shpërndarjen e lajme jo të plota, apo lajmeve të rreme nga mediat, është edhe presioni i kohës me të cilin ballafaqohen gazetarët.

“Gazetarët më nuk kanë në dispozicion kohën e duhur për të mbledhur informata, për t’i verifikuar, për t’i ballafaquar e filtruar. Prandaj, kompensohet me “lajme të gatshme” që mirren nga zyrat e marrëdhënieve me publikun ose nga postime në rrjete sociale. Ndërsa ato më të shumtën janë promocionale e jo domosdoshmërisht të sakta e të vërteta. Pra në këtë aspekt mediet janë bërë zgjatime të manipulimeve të burimeve të informimit”, shtoi Krasniqi.

Studentët po paguajnë përkundër vendimit të Qeverisë

Studentë me korrespodencë që studiojnë në nivelin Bachelor apo Master në universitete publike kanë vazhduar të paguajnë për semestër dhe temë të diplomës edhe pas marrjes së këtij vendimi.

Në udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, me nr.09/2021, aplikimi i pagesave të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, te neni 2. Paragrafi 1 pika 2 parashihet që studentët me korrespodencë në nivelin Bachelor duhet të paguajnë për semestër shumën prej 125 eurove.

Ndërkohë kategoritë e tjera të studimeve përmes këtij UA janë liruar nga pagesat.

Në të njëjtin Udhëzim Administrativ thuhet se Aplikimi i pagesave të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, neni 5 paragrafi 2 thotë se “Studentët e doktoratës do të lirohen nga pagesat e semestrit të përsëritur nëse përsëritja e semestrit është shkaktuar nga rrethanat jashtë kontrollit të studentit siç janë: Vonesat në caktimin e mentorëve, në realizimin e punës hulumtuese ose në publikimin e rezultateve të punës hulumtuese”.

Kjo nuk theksohet edhe për studentët e nivelit Master, pra ata kanë vazhduar të paguajnë edhe pas datës së përcaktuar nga Kurti e Nagavci.

Pas ankesave të organizatave që mbrojnë të drejtat e studentëve, por edhe pas ankesave të studentëve, ministrja Arbërie Nagavci, tek më datën 5 Janar të vitit 2022 përmes një vendimi vendosi të shfuqizoj Udhëzimin Administrativ, ku i kërkohej studentëve të nivelit të Masterit të paguajnë për semestrin e fundit, përkundër se kanë përfunduar mbetjen e ligjëratave dhe janë në përfundim të temës së diplomës.

Por Ministrja sërish nuk ka shfuqizuar vendimin që i obligon të paguajnë studentët me korrespodencë, këto pagesa vazhdojnë të kryhen në zyret e studentëve.

Se studentët po paguajnë e kanë konfirmuar nga Zyra për Informim e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Ata në një përgjigje për “Kallxo.com”, kanë cituar udhëzimet administrative me të cilat janë të rregulluara këto pagesa.

“Ju njoftojmë që tarifat për pagesa të studentëve në universitete publike, përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ  të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nr. 09/2021”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Kundërthëniet në vendimin e Qeverisë

Parlamenti Studentor i Universitetit Prishtinës në një përgjigje për Kallxo.com, ka konfirmuar se në fillim kur ishte marrë vendimi, pra më 1 tetor të vitit 2021, nga pagesa në UP ishin liruar vetëm studentët e nivelit Bachelor, por nuk iu është kërkuar të paguajnë as studentëve me korrespodencë.

Një gjë e tillë sipas tyre ka ndryshuar pak muaj më pas.

“Në vendimin që ka marrë ministria para 1 viti të liruar nga pagesa kanë qenë vetëm studentët e nivelit bachelor (ata që paraqesin semestrin për herë të parë) por nuk kanë paguar as studentet me korrespodencë. Ndërsa në këtë afat për regjistrimin e semestrit, u është kërkuar studenteve me korrespodence t’i paguajnë të dy semestrat edhe këtë edhe atë dimërorin”, kanë thënë nga Parlamenti Studentor.

Tutje ata kanë bërë të qartë se disa herë radhazi kanë adresuar tek Ministria e Arsimit kërkesën që të lirohen nga pagesat semestrale edhe studentët me korrespodencë në nivelin Master, sikurse ata Bachelor, meqë vendimi i njëjtë duhet të vlejë për dyja palët.

“Pas shume kërkesave nga ana jone ministria e aprovoi kërkesën si te pjesshme duke liruar vetëm studentet e nivelit Master nga pagesa”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

300 euro për të diplomuar

“Në vendin tonë gjithmonë ka tendencë të shtypjes së të përgjegjshmit dhe të ndershmit”, kështu i shpjegon kundërthëniet në vendimin e Qeverisë, Vesa Guhelli, tashmë studente e diplomuar në nivelin Master në Gazetari. “E edhe kjo është një nga padrejtësitë që vjen si pasojë e kësaj tendence nga të papërgjegjshmit e vendimeve”, thotë ajo.

Guhelli, e konfirmon se edhe pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, asaj i është kërkuar nga Universiteti që ta paguante edhe një semestër shtesë prej 150 eurosh, kur kishte paraqitur temën e diplomës, ndonëse ajo ishte duke diplomuar në afat të rregullt, dhe gjithë semestrat i kishte paguar krahas kohës kur po i ndjekte ligjëratat.

“Unë veçse i kisha përfunduar të gjitha provimet në afatin e rregullt të qershorit, gjersa për të pasur të drejtën e mbrojtjes së diplomës më është dashur të paguaj edhe një semestër shtesë në vlerën prej 150 Euro përpos pagesave të tjera që përfshihen në pagesat për diplomim”, shtoi tutje Guhelli e cila  diplomoi në afat, në muajin janar të vitit 2022.

Teksa e komenton vendimin për arsim të lartë publik falas, Guhelli thotë se “Natyrisht se një vendim i tillë në fillim ka qenë i mirëpritur nga studentët në përgjithësi por në praktikë ka shkaktuar paqartësi dhe ka rezultuar të jetë tejet kërkues ndaj studentëve. Fillimisht titulli i vendimit se ‘Nga 1 tetori i këtij viti arsimi i lartë publik do të jetë falas’ ka përgjithësuar, ndonëse në këtë vendim përfshiheshin vetëm studentët që e regjistronin për herë të parë semestrin në nivelin Bachelor dhe Master”, tha Guhelli.

Për cilat shërbime paguajnë studentët?

Ndonëse Kallxo.com ka dërguar pyetje në gjitha adresat e Fakulteteve përkatëse në kuadër të Universitetit të Prishtinës, përgjigje në pyetjet e parashtruara ka dhënë vetëm Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportiv.

Valbona Arifi – Zyrtare e shërbimit të studentëve në nivelin Bachelor, ka bërë të ditur pagesat të cilat aktualisht kryhen në këtë fakultet, përkundër vendimit për arsim të lartë falas.

Studentët që përsërisin semestrin në nivelin Bachelor paguajnë semestër 25 euro. Studentët e rregullt paguajnë edhe për aplikim diplome 5 euro, për pasqyrë të notave 2.5 euro, si dhe për certifikatë diplome 5 euro. Në rast se studentët humbin kartelën dhe ju duhet e re, paguajnë nga 10 euro, kurse shërbimi për diplomë duplikat kushton 25 euro.

Për secilin provim të pranuar me rastin e transferimit studentët paguajnë nga 50 cent, kurse për Provim pranues 2.5 euro. Nga ky fakultetet thonë se studentët absolventë nuk kane paguar dhe nuk paguajnë as tani semestër.

Çmimorja e njëjtë është pothuajse edhe për studentët e nivelit Master. Kurse, ata për mbrojtjen e diplomës paguajnë nga 100 euro.

“Semestrat i paguajnë vetëm studentët përsëritës domethënë që të gjithë studentët që kanë kaluar kohën që parashihen me vendimet e Këshillit Drejtues”, ka konfirmuar për Kallxo.com, Blerim Kastrati – Zyrtar i shërbimit të studentëve Master.

Mungesa e bursave në përkrahje të studentëve

Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, vlerëson se Qeveria e Kosovës do duhej ta rrisë përkrahjen ndaj studentëve, përmes bursave, si për familjen me vështirësi financiare ashtu edhe për shtresat e mesme.

“Sikurse edhe ka qenë e ditur në fillim, kostoja e studimeve, shkon përtej pagesës së semestrit, andaj edhe rëndësia të kemi bursa për përkrahje për studentet me performances të mirë dhe të tjerë në nevojë – dhe kjo e fundit të jetë shumë më e relaksuar në kritere, vështirësitë financiare nuk janë vetëm tek familjet me asistencë sociale por shumë prezentë edhe tek shtresat e mesme”, ka thënë Qehaja në një përgjigje për “Kallxo.com”.

Ndërkohë sipas tij lirimi i studenteve nga pagesa është politikë e majtë e kamotshme e partisë në pushtet, por se cili do të jetë ndikimi i të njëjtës mbetet të shihet.

Tutje Qehaja theksoi se rreth 37,149 studentë të kolegjeve private që përafërsisht janë të të njëjtës shtresë socio-ekonomike sikurse studentet nga publiku, dhe janë të anashkaluar në tërësi nga kjo skemë.

Ndërkohë përkundër se pyetjet ishin dërguar në formë të qartë për gjitha kategoritë e studentëve që vijojnë studimet pas hyrjes në fuqi të vendimit për arsim të lartë falas, nga Ministria e Arsimit kanë kthyer një përgjigje gjysmake, duke e cituar Udhëzimin Administrativ, i cili liron nga pagesa e tarifës së shkollimit vetëm studentët që regjistrojnë semestrit për herë të parë.

“Me Udhëzimin Administrativ të MASHT Nr. 9/2021 janë liruar nga obligimi i pagesës së tarifës së shkollimit të gjithë studentët e nivelit Bachelor dhe Master që regjistrojnë semestrin për herë të parë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ata thonë se nuk kanë informacion se është kërkuar nga ndonjë student që i përket kësaj kategorie që ta paguaj tarifën e shkollimit.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.