Universiteti i Shkencave te Aplikuara, Ferizaj Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Studentët pa maska dhe pa distancë në Universitetin e Ferizajt (VIDEO)

Një numër i madh i studentëve pa maska dhe duke mos e mbajtur distancën, janë parë në objektin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Në hyrje të Universitetit është vendosur udhëzuesi “Ndalohet hyrja pa maskë” por studentët nuk po e respektojnë këtë masë.

Dje, më 17 mars, KALLXO.com ka qenë në monitorim të këtij Universiteti për të parë respektimin e masave anti-COVID dhe ka hasur në studentë pa maska në ambientet e jashtme dhe të brendshme të Universitetit të Ferizajt.

KALLXO.com që nga muaji nëntor është duke monitoruar universitet publike në Kosovë, për të parë nëse janë duke u respektuar masat anti-COVID.

Vendosja e maskës mbrojtëse, mbajtja e distancës dhe higjienës janë disa nga masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të vendosura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Fillimi i vitit akademik 2020/2021 i gjeti studentët larg fakulteteve për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat duhet të organizohet në formën online.

Por me këtë vendim ishte paraparë që provimet, puna praktike dhe laboratorike të organizohen duke respektuar masat e përcaktuar në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

Më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.