(Ilustrim) Testi i Maturës - Foto: KALLXO.com
Statistikat e Ministrisë së Arsimit - Më pak nxënës në provimin e Maturës më 2024 se në 2007-n në Kosovë
Më pak nxënës i janë nënshtruar provimit të Maturës shtetërore në Kosovë më 2024 sesa në vitin 2007.
Kështu tregojnë të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që i ka siguruar KALLXO.com.
Statistikat tregojnë se më 2007 testin e Maturës e mbajtën 18,819 nxënës, ndërsa më 2024 – 18,285 nxënës, që i bie 534 nxënës më pak.
KALLXO.com ka siguruar statistikat për numrin e nxënësve që i janë nënshtruar provimit të Maturës nga viti 2006 deri më 2024.
Ndërkaq, zyrtari i lartë për Standarde dhe Vlerësim në Ministri të Arsimit, Fatmir Elezi, ka treguar se provimi i Maturës për herë të parë është organizuar në vitin 2006, në të cilin kanë marrë pjesë nxënësit e klasës së 12-të nga të gjitha drejtimet e gjimnazeve, përveç Gjimnazit të Përgjithshëm dhe drejtimeve profesionale.
Në Kosovë atë kohë ishte aplikuar edhe klasa e 13-të në nivelin e Arsimit të Mesëm të Lartë nga viti 2006.
Ndërsa më 2014 ishte viti i fundit që Kosova ka pasur klasën e 13-të.
“Viti 2014 është viti i fundit kur kemi pasur klasën e 13 prandaj këtë vit nga shkollat profesionale dhe gjimnazi i përgjithshëm kemi dy gjenerata që hyjnë në maturë” – ka thënë Elezi për KALLXO.com.
Kurse, deri në vitin 2008, Elezi ka njoftuar se nxënësit në shkollat profesionale nuk kanë mundur ta vazhdojnë klasën e 13 nëse nuk kanë pasur notën mesatare mbi 3.
Provimi i Maturës ndër vite
Të dhënat e siguruara tregojnë se në vitin 2014 Kosova kishte pasur numrin më të madh të nxënësve që i ishin nënshtruar provimit të Maturës deri më sot, me 42,052 nxënës.
Kurse, pas vitit 2024, Kosova ka pasur numër më të vogël të nxënësve që morën pjesë në provimin e Maturës në vitin 2006, me 8,336 nxënës, pa përfshirë nxënësit e Gjimnazit të Përgjithshëm dhe drejtimet profesionale.
Duke filluar nga viti 2008 deri më 2011 në Kosovë provimit të Maturës iu nënshtruan mbi 20 mijë nxënës.
Ndërsa, prej vitit 2012 deri në vitin 2016, duke përjashtuar vitin 2014, në Kosovë iu nënshtruan provimit të Maturës mbi 30,000 nxënës.
Pas vitit 2016 deri në vitin 2023 ka pasur një rënie të nxënësve që i janë nënshtruar provimit të Maturës në raport me vitet 2012 – 2016, por që ka kapur shifrën mbi 20,000 nxënës.
Si rezultat i të gjitha këtyre të dhënave, brenda 18 vitesh provimit të Maturës i janë nënshtruar gjithsej 483,369 nxënës.
Kriteri i kalimit në provim
Më 31.07.2024, Ministria e Arsimit i ka dërguar statistikat për rezultatin e kalueshmërisë së nxënësve në provimin e Maturës ndër vite.
Në këto statistika, Ministria e Arsimit ka treguar për kalueshmërinë e nxënësve në provimin e Maturës në dy afatet që mbahet ky provim, në afatin e qershorit dhe atë të gushtit, në bazë të kriterit të caktuar për secilin vit.
Sipas statistikave të kalueshmërisë së nxënësve në provimin e Maturës, për afatin e qershorit të provimit kalueshmëria më e madhe është shënuar në vitin 2017, me 83.5%. Ndërsa, për afatin e gushtit, kalueshmëria më e madhe është në vitin 2010, me 80.7%.
Kurse, kalueshmëria më e vogël e nxënësve në afatin e qershorit të provimit të Maturës është në vitin 2014, me 52.1%, dhe për afatin e gushtit është në vitin 2008, me 31.9%.
MASHTI ka treguar edhe kriterin e kalueshmërisë së këtij provimi ndër vite.
Sipas zyrtarit të lartë për standarde dhe vlerësim në Ministri të Arsimit, Fatmir Elezi, në vitin 2006 dhe 2007 kriteri i kalimit në provimin e Maturës ishte 40%, në vitin 2008 deri më 2015 kriteri i kalimit ishte 50%, ndërsa me vendim të Ministrisë së Arsimit, Elezi ka thënë se ishte caktuar 45%, dhe në vitin 2016 deri më 2024 kriteri i kalimit është 40%.
Se pse ishte caktuar kriteri i kalimit nga 50% në 45% në mes viteve 2008 – 2015, Elezi ka thënë se kriteri i kalueshmërisë 50% u është dukur shumë i lartë për ta kaluar provimin e Maturës pasi sipas tij, provimin nuk e kalonin as 50-60% të nxënësve në dy afatet e mbajtura të provimit të Maturës gjatë asaj kohe.
Në anën tjetër, më 03.07.2024, Ministria e Arsimit kishte dalur me një sqarim lidhur me disa raportime se ka pasur rënie të nxënësve që iu nënshtruan provimit të Maturës.
Sipas Ministrisë, nga të dhënat në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA) në vitin 2014 janë të regjistruar 27.544 nxënës në klasën e 12-të, kurse në vitin 2024 janë 20.725.
Ndërsa, sa i përket krahasimit ndërmjet numrit të nxënësve që kanë hyrë në provimin e Maturës në vitin 2014, MASHTI njofton se përveç maturantëve të klasave të 12-ta, provimit të Maturës në vitin 2014 i janë nënshtruar edhe maturantët e klasave të 13-ta, pasi viti shkollor 2013/2014 ka qenë viti i fundit që në sistemin arsimor të Kosovës ka ekzistuar edhe klasa e 13-të.
Rezultatet e nxënësve në provimin e Maturës 2024
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), më 01.07.2024, publikoi rezultatet e provimit të Maturës, të cilit iu nënshtruan 18,285 mijë nxënës të klasave të 12-ta në të gjithë vendin.
Provimi i maturës është mbajtur më 22.06.2024, në të cilin nxënësit kanë pasur katër lëndë, tri prej tyre janë: Gjuha shqipe, Matematika dhe Gjuhë angleze. Kurse, lënda e katërt është zgjedhur nga vet nxënësi, e që përfshin njërën nga lëndët e tjera të mbetura.
Sipas rezultateve të provimit të Maturës të publikuara nga Ministria e Arsimit, këtë vit provimin e Maturës e kaluan 13,342 nxënës apo 73.3% e maturantëve.
Ministria e Arsimit njoftoi se arritshmëria mesatare në Gjuhë amtare është 58.8 për qind, në Gjuhë angleze 54.4 për qind, në Matematikë 41.1 për qind dhe në lëndë zgjedhore 47.3 për qind.
“Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla. Provimi i mbajtur më 22 qershor është organizuar në 151 qendra të testimit. Në këtë proces kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MASHTI, 1500 administrues dhe 1500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit më 01.07.2024.
Ministria e Arsimit kishte theksuar se gjatë procesit të administrimit ka pasur tentime për kopjim, e për këtë shkak të kësaj janë përjashtuar 79 nxënës.
Për herë të parë këtë vit, maturantët kanë aplikuar online përmes platformës e-Kosova për ta paraqitur provimin e maturës. Kjo është mënyra me të cilën Ministria e Arsimit i ka sistemuar nxënësit në klasë të ndryshme për provimin e Maturës.
Aplikimi për ta paraqitur provimin e maturës në platformën e-Kosova u lansua më 27.05.2024.
Ndërsa, afati i dytë për ata nxënës që nuk e kanë kaluar provimin e Maturës në afatin e parë është më 31.08.2024.
Shënim: Artikulli është edituar më 31.07.2024, në ora 13:15, duke iu shtuar edhe statistikat e MASHTI për rezultatin e kalueshmërisë së nxënësve në provimin e Maturës ndër vite, të cilat ministria i ka dëguar më datë 31.07.2024.