SPAK: Mosekzekutimi i pagave, tendencë e qeverisë për frikësim e shantazh

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës, SPAK përmes një komunikate për media janë shprehur të shqetësuar lidhur me mosekzekutimin e pagave për të punësuarit në arsim nga ana e qeverisë.

Sipas tyre, ky veprim i qeverisë është tendencë për frikësim dhe shantazh.

“Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës-SPAK-është tejet e shqetësuar lidhur me mosekzekutimin e pagave për të punësuarit në arsim nga ana e qeverisë së Kosovës. Këtë veprim të paprecedentë, joligjor, të paarsyeshëm dhe të palogjikshëm të Qeverisë e konsiderojmë tepër të rrezikshëm dhe tendencë për frikësim, shantazh dhe diskriminim të drejtpërdrejtë në raport me të punësuarit e tjerë”- thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatë SPAK deklaron se ndalja e pagës është shkelje ligjore.

“Ndalja e pagës është shkelje ligjore dhe ky konstatim tashmë u vërtetua nga të gjithë ata që i njohin ligjet e Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si duhet të funksionojë shteti ligjor dhe sistemi i demokracisë”- thuhet më tej nga SPAK.

Sindikata e Pavarur potecon se e keqja në këtë drejtim është se qeveria po rezulton të jetë shkelëse e ligjit.

Sipas tyre, kjo qeveri ka mision të shkatërrojë sindikatat dhe të menduarit ndryshe.

“E keqja dhe skandali në këtë drejtim bëhet më i madh dhe më i paperceptueshëm nga ana logjike kur dihet se, fatkeqësisht, në këtë rast shkelëse e ligjit është vetë Qeveria e cila në rrethana normale do të duhej të ishte zbatuese e ligjeve në fuqi, por, siç po shihet, kjo qeveri ka për mision shkatërrimin e sindikatave dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me demokracinë, të menduarit ndryshe, të drejtën  e organizimit dhe të shprehjes së pakënaqësisë qytetare si vlera të demokracisë evropiane dhe përgjithësisht të standardit të qytetarisë demokratike”- thuhet në komunikatë.

“Kjo tendencë e Qeverisë paraqet rrezik për demokracinë tonë të brishtë, prandaj kërkohet ndërprerja e menjëhershme e këtyre praktikave joligjore dhe jodemokratike”- thekson me tej SPAK.

Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës  kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të ekzekutojë pagat e sektorit të arsimit dhe njëkohësisht të ulet me sindikatat që t’i diskutojë kërkesat legjitime dhe të bëhen zgjidhje me përfaqësim të dyanshëm.

SPAK është shprehur se  qëndron fuqishëm përkrah SBAShK-ut dhe se siç ishin bashkë përgjatë rrugëtimit  35-ditor, përsëri do të jenë të bashkuar deri në realizimin e kërkesave që sipas tyre janë të drejta dhe legjitime.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.

Sipas propozimit të ri, mësimdhënësit do të paguhen për orët që i zëvendësojnë, kurse pagesa është propozuar të bëhet avans.

Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar se orët e humbura gjatë grevës nuk do të zëvendësohen.

MASHTI propozon pagesë avans për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura