Gjimnazi "Kuvendi i Arberit", Ferizaj. Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Si u shpërnda mesazhi te nxënësit e Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” për tubimin e LVV-së në Ferizaj?

Një mesazh që pretendohet se u ka shkuar të gjithë nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, e në të cilin njoftohet se do të mbahet një mbledhje e Lëvizjes Vetëvendosje në qytet, më 09.01.2025, ka bërë bujë në gjithë qytetin.

Pretendohej se mesazhi u dërgua nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”, e cila është nxënëse.

“Nesër me datë 09.01.2025 do të ketë një mbledhje në kafen X prej orës 18:30. është një lloj organizimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ku do të jetë prezent edhe kryeministri i Kosovës. Do të ketë muzike dhe pije. Mundësisht dërgojeni këtë mesazh nëpër klasët e juaja dhe m’i dërgoni sot emrat e nxënësave të cilët do të jenë pjesëmarrës” – thuhet në mesazhin që pretendohet se u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”.

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit, Adnan Hashani, ka thënë për KALLXO.com se kanë mbajtur një mbledhje me Këshillin e Nxënësve, në të cilin është deklaruar kryetarja e këtij Këshilli në lidhje me dërgimin e mesazhit.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se është informuar në mbrëmje të datës 08.01.2025 se nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” u është dërguar mesazhi nxënësve.

Mëngjesin e të enjtes, më 09.01.2025, Llabjani tha se e ka takuar drejtorin e Gjimnazit  “Kuvendi i Arbërit”, Bajram Rexhepi. Nga ky takim, Rexhepi ka thënë se ishte informuar për këtë rast.

“Kërkova nga drejtori [i Gjimnazit] që t’i thirrin kryetarët e këshillave të klasëve, secilës klasë, edhe kryetaren e Këshillit të Nxënësve, ta bisedojnë këtë çështje, pastaj duhet m’i shiqu edhe pjesët e tjera, aspektet e tjera ligjore, udhëzimet administrative se çka mund të bëjmë ne në këtë drejtim” – ka treguar Llabjani përmes telefonit për KALLXO.com.

Sipas Llabjanit, nxënësit nëse janë në proces mësimor gjatë kohës që mbahet mbledhja e LVV-së, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në atë mbledhje.

“Unë po besoj që nxënësit nuk marrin pjesë edhe nuk duhet të marrin pjesë në këto aktivitete, sepse ata janë, e para janë të mitur që nuk i takojnë moshës madhore për të votuar, e dyta – mund të jenë të manipuluar” – ka theksuar Llabjani.

Ndërsa Rexhepi ka thënë për KALLXO.com se zëvendësdrejtori i Gjimnazit, Adnan Hashani, do ta mbajë një mbledhje me kryetaren e Këshillit të Nxënësve të enjten për ta biseduar këtë çështje.

Zëvendësdrejtori Hashani ka treguar se çka kanë biseduar në mbledhjen që ka mbajtur Këshilli i Nxënësve të Gjimnazit.

Sipas Hashanit, nxënësja është mashtruar prej Këshillit të Nxënësve në nivel komunal.

Hashani tha se nxënëses i është kërkuar nga kryetari i Këshillit të Nxënësve të Ferizajt që ta shpërndajë mesazhin te nxënësit, i cili sipas tij edhe është shpërndarë te të gjithë nxënësit e Gjimnazit.

“Kryetarja e ka sqaru se si ka rrjedhë çështja. U kanë kërkesë, kjo ka ra pre e mashtrimit me thanë edhe e ka shpërnda mesazhin. Nxënësit e mirëkuptuan edhe nuk pat naj kërkesë për naj masë diçka” – tha Hashani.

“Ata kanë kërku ose ai ka kërku me shpërnda mesazhin tek kryetarët e klasëve, nëse dëshirojnë me shku në takim me kryeministrin… Ajo e pranoi që ka gabu, s’e ka mendu që është çështje politike edhe e ka shpërnda” – ka shtuar Hashani.

Hashani tha se nxënësja vazhdon të jetë kryetare e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit, pasi nuk kishte kërkesë për ta shkarkuar nga kjo pozitë.

Kur u pyet nëse nxënësit do të marrin pjesë në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Hashani e ka mohuar.

Hashani ka treguar se nxënësit e përfundojnë mësimin në ora 19:05 dhe janë nxënës kryesisht të klasës 10 e gjysma e tyre të klasës 11.

Para se të mbahej mbledhja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, Hashani tha se ka biseduar me prindin e nxënëses.

“Edhe ajo [nëna e nxënëses] më tha që ka ra pre e kërkesës të një kryetarit të Këshillit të Nxënësve në nivel komunal. Edhe ajo e ka pasë shqetësim, pasi çika s’ka flejtë deri në dy të natës, ka qenë e shqetësuar” – ka thënë Hashani.

Hashani pretendon se mesazhi që u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” është shpërndarë edhe në shkollat e tjera të Ferizajt.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Këshillit të Nxënësve të Ferizajt. Ai është nxënës i Shkollës Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj dhe ka thënë se e ka parë në internet lajmin që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në Ferizaj më 09.01.2025.

Ai tha se e ka dërguar mesazhin në mënyrë shoqërore në një grup në Viber në të cilin janë të gjithë kryetarët e këshillave të nxënësve të shkollave në Ferizaj.

“Kjo punë u ba shumë e madhe. Unë e kam çu veç qysh me thanë hajt, nuk u kanë me shku me votu ose me shku me pa çka janë t’u bo. Ja, ja unë e kam pasë si qëllim shoqërie, jo obligim për ata, se nuk guxoj me dhanë kësi detyra as nuk është detyrë e jemja” – ka thënë ai.

“Ia kam çu mesazhin, ata nuk e kanë kuptu, kanë shku te drejtorat, t’u mendu që jam t’u dashtë m’iu thanë – shkoni patjetër… Tani drejtorat më kanë kontaktu krejt mua përveç drejtorit të Arsimit, ama unë u kam tregu edhe drejtorave tjerë edhe drejtorit të shkollës tem që ai nuk u kanë tendencë, se na jena institucion, na s’kena drejt m’u përzi me parti politike hiç” – ka treguar nxënësi.

Drejtori i Shkollës Ekonomike “Faik Konica” dhe Këshilli i Nxënësve të kësaj shkolle e kanë mbajtur një takim me kryetarin e Këshillit të Nxënësve në nivel komunal. Nxënësi tha se pritet që të merret ndonjë masë ndaj tij nga ana e Këshillit të shkollës.

“Edhe drejtori i Shkollës tonë ka menu që është gabim. Më kanë kontaktu edhe disa drejtorë të tjerë, unë nuk e kam pasë qëllimin që me shku te Vetëvendosja… E kam mbajtë takimin me drejtorin, takim me Këshillin e shkollës” – tha ai.

Ai e ka mohuar se do të shkojë në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje të enjten, më 09.01.2025.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ditjon Fetahun, drejtor ekzekutiv i organizatës “Kosovo Youth Council (KYC)”.

Në baza vullnetare KYC ndihmon në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Nxënësve në nivel komunal.

Fetahu përmes telefonit ka thënë se kanë dëgjuar për këtë rast dhe janë duke u frikësuar se nuk është vetëm në Ferizaj.

“Këshilli i Nxënësve në nivel të Kosovës nuk ka kurrfarë të drejte ose të themi kurrfarë përgjegjësie mbi atë se çka ndodh me Këshillin e Nxënësve në nivel lokal… Sigurohemi që çdo vit me u siguru që zgjedhjet e Këshillit të Nxënësve qoftë në shkollë, qoftë nivel komunal e qoftë nacional, m’u ba në mënyrë demokratike, transparente” – ka shpjeguar Fetahu.

Fetahu tha se nuk kanë fakte por vetëm disa informata se thirrja nxënësve për të qenë pjesëmarrës në mbledhjet e partive politike nuk është duke ndodhur vetëm në Ferizaj.

“Fatkeqësisht e kemi këtë skepticizëm të informatave që jena t’u i marrë prej terrenit që potencialisht janë t’u u targetu prej grupeve rinore të partive, janë duke u targetu përfaqësuesit e nxënësave nëpër komuna të ndryshme edhe ne diskutime të ndryshme ata janë duke u motivu që me ba këtë angazhim” – ka thënë Fetahu.

Ajo çfarë mund të bëjë KYC për rastin e Ferizajt, sipas Fetahut, është që t’i nisin një email grupit të nxënësve, të cilët e votojnë përfaqësuesin e tyre, që t’i informojnë mbi atë çka ka ndodhur në momentin që e konfirmojnë se është e vërtetë.

“Që është ndesh komplet me mënyrën se qysh ata janë zgjedhur, me statutin të cilin e kanë në nivel komunal, të cilin e kanë aprovu si grup edhe automatikisht i bie që kuvendi i anëtarëve në atë komunë kanë bazë për m’i largu prej pozitës së përfaqësimit” – tha Fetahu.

“Ne punojmë me gjenerata të përfaqësuesve të nxënësve tash e 25 vjet gati e përfaqësuesit e nxënësve në moment që i përfundojnë klasën e 12 çdoherë po na atakohen prej partive politike. Po tash kemi mbërri në një nivel ma nalt ku ata të cilët janë ataku në vitet paraprake po i atakojnë këta që janë në shkolla në periudhën e fushatës zgjedhore” – ka përfunduar Fetahu.

KALLXO.com e ka pyetur zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në lidhje me mbledhjen që pritet të mbahet nga LVV në Ferizaj, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar në Facebook se sot është me kryeministrin Albin Kurti në Ferizaj.