
Objekti i ri i shkollave të mesme "Elena Gjika" dhe "Shaban Hashani" në Ferizaj, 30.10.2024, Foto: KALLXO.com
Shtyhet edhe për dy ditë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë për nxënësit e dy shkollave të mesme në Ferizaj
Nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj nuk e kanë filluar as të hënën, më 20.01.2025, gjysmëvjetorin e dytë.
Një javë më parë drejtori i Arsimit të Komunës së Ferizajt, Afrim Llabjani, kishte thënë për KALLXO.com se po përpiqen që nxënësit e dy shkollave të mesme ta fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më 20.01.2025.
Nxënësit e të dy shkollave të mesme që mësonin në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë për shkak të disa problemeve që u kanë dalë me objektin e ri, i cili është ndërtuar te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.
Në momentin kur është kontaktuar nga KALLXO.com, Llabjani tha se ndodhej në objektin e ri që është ndërtuar për dy shkollat e mesme.
Sipas Llabjanit, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë edhe për dy ditë, për shkak të mosngrohjes së plotë të ambientit të objektit të ri. Rrjedhimisht, gjysmëvjetori i dytë pritet të fillojë më 22.01.2025.
Në mesin e problemeve që kishte përmendur Llabjani se pse nuk ka filluar gjysmëvjetori i dytë ishte edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy shkollat e mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.
Llabjani kishte thënë më 13.01.2025 se para tre-katër javësh objekti i ri i të dy shkollave të mesme është furnizuar vetëm me banka shkollore nga Ministria e Arsimit, kurse vetë Ministria ka thënë se e kanë furnizuar objektin me banka në muajin tetor 2024.
Pas dy ditësh, Ministria e Arsimit tha se deri në fund të muajit janar objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj do të furnizohet me karrige.
Por, Llabjani thotë se ende nuk u kanë ardhur karriget në objektin e ri.
“Jena t’u fillu me karrige të vjetra, me të thanë të drejtën. Ato që i kena përdorë atje (tek objekti i ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi) i kena pru këtu… Javën e kalume e kemi pasë ministren (Arbërie Nagavci) këtu (në Ferizaj) edhe kena bisedu, ata kanë thënë që shumë shpejt (do bëhet furnizimi me karrige), po datë s’kanë caktu” – tha Llabjani më 20.01.2025.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari, ka thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.
“Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige, edhe nuk është fillu mësimi” – kishte thënë Jashari më 13.01.2025.
Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari ka thënë se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e lëre më të zhvillohet mësim aty.
Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi” për shkak të kushteve të saj.
Kurse drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, kishte thënë se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.
“Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu, edhe bash sot kemi me pastru. Karrige e banka i kemi mbushë klasat” – ka thënë Nebihu.
Drejtoresha Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.
KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa e tualetet në gjendje jo të mirë.