Shkollat e Mitrovicës mbajnë mësimin online me "Zoom Meeting"

Të paktën dy shkolla të mesme në Komunën e Mitrovicës kanë marrë vetëiniciativë për të zhvilluar mësim online me nxënësit e tyre.

Shkollat dhe institucionet tjera arsimore në Kosovë janë të mbyllura që nga 11 marsi pas vendimeve të qeverisë për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19.

Komuna e Mitrovicës njofton se pas Gjimnazit “Frang Bardhi” edhe shkolla e mjekësisë “Dr.Xheladin Deda” do të fillojë të aplikojë mësimin online.

Drejtori i Shkollës së Mjekësisë, Gani Rama konsideron që kjo formë e mësimit është më e duhura në këtë kohë.

“Me rekomandim të drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit  Egzon Jashari, dhe konsultimeve të përbashkëta me kryetarët e aktiveve që nga kjo e martë kemi filluar së aplikuari mësimin online me nxënësit tanë. Normalisht, kjo formë e të mësuarit ka sfidat e saj por mendoj që është e duhura në këtë kohë”, tha drejtori.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Egzon Jashari, potencoi se mësimi në distancë është  mundësi e mirë për mbajtjen e ritmit mësimor në këto rrethana.

“Në këtë vit shkollor kemi zbatuar një agjendë të ngjeshur të aktiviteteve nëpër shkolla, stafi mësimor ka treguar në vazhdimësi përkushtim dhe profesionalizëm përballë përgjegjësive që ju takojnë. Fatkeqësisht, po përballemi me një gjendje jo të zakonshme, përkundër vështirësive objektive ne i kemi vazhduar kontaktet dhe brenda konsultimeve me MASHTI-n, kemi mbështetur shkollat në përpjekjet e tyre për mbajtjen e ritmit në zbatim të plan programeve mësimore përmes platformave elektronike “, tha ndër të tjerash drejtori i Arsimit, Jashari.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Mitrovicë u zotua  se do të vazhdojë t’i mbështesë shkollat që brenda mundësive që i posedojnë të vazhdojnë t’i mbajnë kontaktet dhe këshillimet me prindërit dhe nxënësit.

Në ndërkohë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nisur projektin e mësimit nga distanca më 23 mars.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca që ka filluar sot.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.

Mësimi po zhvillohet  vetëm në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë dhe materialet janë të gatshme për nivelin 1-5, kurse ditëve në vijim pritet të përgatiten për nivelet e tjera.