Shkolla 'Faik Konica' në Prishtinë prej nesër kalon në mësim online

Shkolla fillore ‘Faik Konica’ në Prishtinë prej nesër do kalojë në skenarin C të mësimit për shkak të numrit të nxënësve të infektuar me COVID-19.

Kështu bëri të ditur për KALLXO.com drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi.

“Prej nesër mësimi në këtë shkollë vijon me skenarin C apo online pasi nga numri i përgjithshëm i nxënësve, mbi 5% janë të prekur me virus”, ka thënë Oruqi.

Po ashtu, shkolla ‘Ismail Qemali’ nga data 17 janar ka kaluar në skenarin online për shkak të numrit të nxënësve të prekur me COVID-19.

Evidentimi i rasteve te nxënësit po bëhet më shpejt pasi nga fillimi i kësaj jave shkollat e kryeqytetit janë furnizuar me teste të shpejta përmes pështymës që detekojnë infektimet me virus.

Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me COVID-19.

Brenda ditës po kryhen afër 500 teste me nxënës.