Senati i UP-së nuk merr vendim për pretendimet për plagjiaturë

Senati i Universitetit të Prishtinës, gjatë mbledhjes së sotme nuk ka marrë asnjë vendim, në lidhje me pretendimet e organizatave ‘ORCA’ dhe ‘Admovere’ , për plagjiaturë ndaj profesorit Mejdi Bektashi dhe Arsim Morina.

Këshilli i Etikës përmes një vendimi të datës 12 nëntor të këtij viti, kishte refuzuar pretendimet e organizatës ‘Admovere’  duke i ndaluar procedurat në lidhje me profesorin Mejdi Bektashi, i cili nga organizata në fjalë ishte akuzuar për plagjiaturë.

Këshilli i Etikës ishte bazuar në një vendim të senatit të UP-së të datës 10 maj 2007, ku një komision hetimor nuk kishte provuar se Mejdi Bektashi ka bërë plagjiaturë, në librin e tij ‘Ekonomia’.

Në lidhje me këto vendime të Këshillit të Etikës, Senati i UP-së vendosi që të merret vendim për në mbledhjen e ardhshme.

Një tjetër pikë e rendit të ditës, ishte shqyrtimi i Raportit të Komisionit Qendror, për zbatimin e konkursit për studimet e doktoratës për vitin akademik 2019/20, në Fakultetin Juridik. Në lidhje me këtë konkurs, shumica e komisionit përzgjedhës kishin japur dorëheqje, pasi kishte filluar procedura e konkursit për pranimin e studentëve.

Në mbledhjen e Senatit u diskutua mundësia që konkursi të anulohet dhe të shpallet vitin e ardhshëm, por në fund u vendos që çështja edhe njëherë  të kthehet tek Këshilli i Fakultetit.

Gjithashtu, në këtë mbledhje të Senatit, Cenë Krasniqi, me propozim të Këshillit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, u zgjodh prodekan për çështje mësimore.

Në lidhje me vendimet e Këshillit të Etikës, organizatat ‘ORCA’ dhe ‘Admovere’ me 21 nëntor të këtij viti, kishin gjuajtur me baltë objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

‘ORCA’ dhe ‘Admovere’ gjuajnë me baltë Rektoratin – VIDEO

 

Shënim: Teksti është edituar për të larguar emrin e profesorit Ahmet Shala, emri i të cilit është vendosur gabimisht në vend të emrit të profesorit Arsim Morina.