SBAShK-u viziton shkollat e Kamenicës që Kastrati ka vendosur të mbyllen

Në ditën e tretë të vitit të ri shkollor përfaqësuesit e SBAShK-ut, i kanë dalur në krahë kolegëve të tyre në Kamenicë, në shkollat të cilat kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati ka marrë vendim që të mbyllet

Përmes një komunikate për media, SBAShK-u ka njoftuar se kryetari i kësaj sindikare, Rrahman Jasharaj së bashku me menaxherin për financa dhe administratë, Ymer Ymeri nga mëngjesi kanë qëndruar në shkollat “Hasan Prishtina” në Busovatë, shkollën “Nuhi Berisha” Tuxhevc, “Idriz Seferi “ të fshatit Strezovcit dhe  “7 Shtatori” në Krilevë.

Sipas SBAShK-ut në këto shkolla nuk janë pak nxënës, siç ka deklaruar Kastrati.

“Po me numër shumë më të madh dhe është e pamundur që ata të udhëtojnë me dhjetëra kilometra drejt qendrës komunale, e aq më tepër, kur këto shkolla janë në pjesë malore dhe udhëtimi do të ishte tepër i pamundur për moshën e  tyre, në një gjatësi aq të madhe dhe në kushte të rënda klimatike. Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë dëgjuar me vëmendje gjithë brengat dhe shqetësimet e arsyeshme të prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve dhe kanë garantuar se do t’ju qëndrojnë pranë njerëzve këtu me të gjitha mundësitë që kanë”, thuhet në komunikatë.

Tutje SBASHK-u publikisht i është drejtuar kryetarit Kastrati dhe Drejtoreshës së Arsimit të Kamenicës,  që të shpërndajnë mjetet shkollore dhe ditarë e mjete të tjera administrative edhe në këto shkolla, sepse tekstet shkollore janë botuar nga mjetet e buxhetit të Kosovës, për të cilat kanë kontribuar edhe banorët e Tuxhec, Strezovoc, Krijlevës, Busovatë.

Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë. Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Vendimi, i cili është pjesë e projektit për reforma në arsim dhe ka qëllim mbylljen e shkollave në disa fshatra, po kundërshtohet fuqishëm nga nxënësit por edhe mësimdhënësit.

Kamenicë, nuk respektohet vendimi i kryetarit Kastrati për mbylljen e shkollave

.