SBAShK pas takimit me Sveçlën dhe Nagavcin: Do ta diskutojmë grevën e 4 dhjetorit

Sindikata e Bashkuara e Arsimit Shkencës dhe Kulturës pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se do ta rikonsiderojnë vendimin e tyre për protestë, që ishte planifikuar të mbahet më 4 dhjetor 2021.

“Duke e vlerësuar si përmbajtjesor këtë takim, SBASHK do ta mbaj së shpejti një takim konsultativ nga larg me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve për t’i informuar për rrjedhën e këtij takimi dhe për të vendosur çfarë tutje”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas një njoftimi për media, përfaqësuesit e SBASHK-ut janë deklaruar në fillim të këtij takimi se kanë bërë shumë përpjekje për të nisur takimet e sindikatës me përfaqësues të institucioneve me qëllim që të marrin informacione nga dora e parë lidhur me fatin e Ligjit të pagave.

“Ata kanë përcjell gjithë shqetësimet e anëtarësisë duke kujtuar se në mungesë të dialogut për një kohë të gjatë kërkesat ishin që të fillohet me veprime sindikale. Ata kanë shtuar se me arsye kanë pritur që në kuadër të rrjedhës së aktivitetit përgatitjen e versionit të Ligjit pas heqjes së gabimeve që ka përmendur Kushtetuesja, do të bëhej angazhim i përbashkët në përmirësimin e koeficientit për mësuesit dhe për qartësimin e pozitave dhe koeficienteve për një pjesë të të punësuarve në administratën e Universiteteve”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar nga ministri Sveçla dhe ministrja Nagavci që të angazhohen me gjithë mundësitë e tyre që në Ligjin e buxhetit të caktohen mjete buxhetore që do ta mundësonin implementimin e Ligjit të pagave.

Kurse, ministri Sveçla u ka deklaruar përfaqësuesve të SBASHK-ut se është duke u punuar në Ligjin e Pagave.

“Është menduar se faza fillestare do të kryhej më herët, por është parë se duhet pasur kujdes të shtuar në mënyrë që të mos bëhen prapë lëshime, të cilat do të ndikonin që edhe pas votimit të Parlament, Kushtetuesja të gjente lëshime dhe ta kthente prapë ligjin, gjendje kjo që do të shtonte  pakënaqësitë te palët”, thuhet më tej.

Sveçla është shprehur se me të përgatitur versionin e parë, në kohën më të shkurtër të mundshme, para se të dërgohet Ligji në Qeveri, do të hapet debati dhe do të jenë të ftuara edhe sindikatat që të japin mendimet dhe kontributin e tyre.

Ministrja Nagavci ka theksuar se e ka parasysh çështjen e koeficientit për mësuesit, porse kishin mbetur keq edhe pedagogët, psikologët, sekretarët dhe bibliotekistët.

SBAShK më 12 nëntor kishte paralajmëruar grevë më 4 dhjetor nëse Qeveria e Kosovës nuk i fton në takim përfaqësues të arsimit për të diskutuar.

Kërkesa e tyre ishte që të merret një vendim për Ligjin e Pagave dhe për zbatimin e kontratës kolektive.

SBAShK-u paralajmëron grevë më 4 dhjetor