Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

SBAShK: Mësimi të nisë më 18 janar, por greva mbetet opsion i hapur

Këshilli drejtues i SBAShK-ut gjatë një takimi me kryetarët e kuvendeve të arsimit parauniversitar të komunave të Kosovës dhe universiteteve kanë ardhë në përfundim se periudha e dytë e mësimit të nisë më 18 janar, por që greva të mbetet opsion i hapur.

Në një komunikate për media të SBAShK-ut thuhet se nëse edhe në ditët në vijim nuk ka rezultate nga takimet me institucionet dhe dialogu, atëherë duke marrë mbështetjen me shkrim nga anëtarësia përmes formularëve të deklarimit që do të shpërndahen të premten e tutje, në të gjitha institucionet arsimore të shpallen veprimet sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme.

“Pas një debati të hapur duke vlerësuar edhe situatën aktuale në Kosovë dhe duke analizuar me kujdes këto dy kërkesa të anëtarësisë, pjesëmarrësit e këtij takimi të jashtëzakonshëm kanë sjellë përfundimin periudha e dytë e mësimit të nis më 18 janar, por që greva të mbetet opsion i hapur dhe u autorizua Kryesia dhe kryetari i SBASHK-ut që nëse edhe në ditët në vijim nuk ka rezultate nga takimet me institucionet dhe dialogu, atëherë duke marrë mbështetjen me shkrim nga anëtarësia përmes formularëve të deklarimit, që do të shpërndahen të premten e tutje në të gjitha institucionet arsimore të shpallen veprimet sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme. Pjesëmarrësit janë shprehur të bindur se Qeveria Hoti dhe MASH do të reflektojnë duke u dhënë përgjigje pozitive këtyre dy kërkesave të anëtarësisë së SBASHK-ut”, thuhet në komunikatën për media.

7 janar, Kryesia e Këshillit të Prindërve të Prishtinës ka reaguar pas deklaratatës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) se mësimi mund të mos fillojë më 18 janar siç është planifikuar nga Ministria e Arsimit.

Ata kanë deklaruar se nuk pajtohen që kjo të bëhet në kurriz ose dëm të një pale tjetër, e aq më pak jo në kurriz të një grupi të shoqërisë ose sektori shumë të ndjeshëm si fëmijët.