SBAShK kërkon nga Nagavci që mësimi të zhvillohet normalisht, pa skenarë

Përfaqësuesit e SBASHK-ut sot janë takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke kërkuar nga ajo që mësimi të normalizohet në tërësi dhe të mos vijohet më tej sipas skenarëve të përcaktuar.

“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, i kanë prezantuar këtë kërkesë ministres së MASHTI-t duke e argumentuar me faktin se situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm dhe se janë krijuar kushtet që arsimi në Kosovë të kthehet në tërësi në normalitet duke nënkuptuar që paralelet e ndara në grupe të bashkohen prapë dhe orët mësimore të jenë në kohëzgjatjen e duhur”, thuhet në një njoftim për media.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut në këtë takim kanë thënë se edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut e shtete të tjera, e kanë normalizuar në tërësi procesin mësimor duke vazhduar me respektimin e masave mbrojtëse.

Ndërsa, ministrja e MASHTI-t Arbërie Nagavci është shprehur se edhe ajo ka qëndrim të njëjtë lidhur me këtë çështje dhe prandaj përkrah këtë propozim dhe se në takimet e komunikimin me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera, do të kërkoj që të aprovohet ky propozim.

“Me qëllim që në kohën më të shkurtër të mundshme të merret vendimi për normalizimin e plotë të procesit mësimor me zotimin se të gjitha palët të vazhdojnë me angazhimin, kujdesin dhe përkushtimin për ruajtjen e gjendjes së qetë e të favorshme në institucionet arsimore”, thuhet në fund të njoftimit të SBAShK-ut.

Viti i ri shkollor ka filluar me katër skenare. Skenari i ‘Rikthimit’ që parasheh mësimi të zhvillohet me prezencën fizikisht të të gjithë nxënëseve në klasë, skenari ‘A’ që nënkupton me prezencë fizike, por me orar të shkurtuar dhe nxënësit të ndarë në grupe, skenari ‘B’ në formë të kombinuar fizikisht dhe online dhe skenari ‘C’ nënkupton që gjithë mësimi të zhvillohet online përmes platformave të ndryshme.