Ilustrim

SBAShK: Greva nuk u mbajt në të gjitha shkollat

Greva dy orëshe e mësimdhënësve nuk është mbajtur sot në të gjitha shkollat.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj.

“Ajo se çfarë kemi parë nga raportet nga 1 mijë 616 institucione të arsimit parauniversitar, 1 mijë e 101 i janë përgjigjur vendimit të këshillit drejtues të SBAShK-ut, i kemi 15 institucione që nuk i janë përgjigjur dhe jemi duke i saktësuar edhe emrat e tyre, por për pak i publikojmë”, ka bërë të ditur Jasharaj.

Ai ka shtuar se ditën e hënë nuk do të ketë grevë dhe mësimi do të vazhdojë me orar të rregullt.

“Ditën e hënë do të zhvillohet mësimi me rregull do të vazhdojë mësimi dhe nuk do të ketë grevë, kjo do të vazhdojë deri në ndonjë vendim tjetër të Këshillit Drejtues të SBAShK”, ka thënë Jasharaj për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi më herët se Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk e ka zbatuar vendimin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë që të mbajnë sot grevë për Ligjin për Paga.

Mësimdhënësit e kësaj shkolle sot mësimin e kanë filluar me rregull, por ka pasur mungesë të nxënësve.

Shkolla “Ismail Qemali” nuk i bindet SBAShK-ut për grevë

Dje, SBAShK ka njoftuar se sot mësimdhënësit do të mbajnë grevë dy orëshe pasi që Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionit të Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

SBAShK-u para se të miratohej ky ligj kishte mbajtur grevë tri javëshe derisa u plotësuan kërkesat e tyre. Orët e humbura të kësaj greve nuk u zëvendësuan plotësisht pavarësisht se MAShT-i kishte marrë vendim që ato të kompensohen.