SBAShK dorëzoi draft-kontratën kolektive në MAShTI, Foto: Agon Ismajli/KALLXO.com

SBAShK dorëzoi draft-kontratën kolektive në Ministri të Arsimit, presin që të nënshkruhet brenda një muaji

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka dorëzuar sot në Ministri të Arsimit, më 02.10.2024, draft-kontratën kolektive të re që përfshinë tërë sistemin arsimor në Kosovë, që nga çerdhet deri në Universitet.

Në një deklarim për media, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se e kanë ftuar katër herë ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci të merrte pjesë në këtë dorëzim të draft-kontratës kolektive, por ajo s’është takuar me ta deri më sot.

Sipas Jasharajt, përgjigjja që kanë marrë nga Ministria e Arsimit në lidhje me takimin me ministren Nagavci ka qenë që ajo ka shumë angazhime.

“I kemi bërë katër shkresa zonjës Nagavci edhe kabinetit të saj që në një ceremoni qoftë edhe modeste, solemne t’ia dorëzojmë me një ekzemplar të tekstit të kontratës. Përgjegjet kanë qenë vazhdimisht na jepni kohë, sepse zonja Nagavci paska shumë angazhime brenda dhe jashtë Kosovës që ne e përkthejmë në gjuhën tonë – nuk deshi të na takojë që nga greva e këndej e nuk deshi të na takojë as sot” – ka deklaruar Jasharaj, më 02.10.2024.

Kontrata kolektive që ishte nënshkruar në vitin 2021, u shkëput në nëntor 2022 nga Ministria e Arsimit “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

Nga SBAShK kanë theksuar se draft-kontrata kolektive që dorëzuan sot nuk ka dallime të mëdha nga kontrata kolektive e kaluar.

“Kontrata që e dorëzuam sot nuk ka dallime të mëdha, d.m.th janë ruajtur të gjitha benifitet që i ka pasë kontrata e kaluar, ngase edhe sipas Konventave Ndërkombëtare ato gjëra që fitohen njëherë nuk bën të mohohen, së paku jo nga ne, por kemi bërë edhe ndonjë shtesë eventuale” – tha Jasharaj.

Jasharaj thotë se Nagavci u mundua ta zhvlerësojë kontratën kolektive që ishte më parë dhe se u kishte thënë se duhet të mblidhen e të bisedojnë për një kontratë të re. 

“Ne e bëmë këtë, por ajo po shihet që deri sot nuk e bëri detyrën e saj” – ka shtuar Jasharaj.

Megjithatë, Jasharaj uron që të formohet komisioni i Ministrisë së Arsimit dhe të negociohet për kontratën kolektive, e pastaj të nënshkruhet.

“Uroj që ky inat e ky qëndrim kundër sindikatave edhe kundër SBAShK-ut t’i tejkalojë zonja Nagavci dhe bashkë ta formojë pjesën tjetër të komisionit, në mënyrë që komisioni ynë të ulet me komisionin e saj, të negociojnë dhe të shtojnë ndonjë gjë ndoshta edhe sa ma parë ta nënshkruajmë kontratën sepse nuk është mirë në një shtet demokratik të mos ketë sektori kontratë ashtu siç po ndodhë me tërë punëtorët tjerë të Kosovës, të cilët ka tri vite që nuk kanë marrëveshje kolektive” – ka thënë Jasharaj.

E në rast se Nagavci i thotë “Jo” kontratës së re kolektive, SBAShK do të vendosë si të veprojë, por do të insistojë të zëvendësministrat që të negociohet për kontratën kolektive.

“Ne do të insistojmë edhe të zv.ministrat, do të insistojmë edhe nivel Qeverisë të gjajmë njerëz të vullnetit të mirë, në mënyrë që të ulemi e të negocojmë kontratën dhe nëse zonja Nagavci del haptas e i thotë – Jo, kësaj kontrate, atëherë i mbetet anëtarësisë sonë të cilën do ta informojmë për të gjitha angazhimet deri tash dhe atyre u mbetet cilido që është vendimi dhe zëri i anëtarësisë sonë, si në të kaluarën edhe tani do ta realizojmë” – ka thënë ai.

Tutje, Jasharaj vlerësoi se pa kontratën kolektive secila palë mund të sillet sipas tekave të tyre e pastaj Arsimi të dalë “jashtë binarëve”.

“Unë besoj se zonja Nagavci do ta mbledhë komisionin e vetë, do të ngeciojnë dhe brenda një muaji edhe do të arrijmë ta nënshkruajmë kontratën kolektive” – ka theksuar Jasharaj.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit se pse nuk po takohet ministrja Nagavci me SBAShK, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.