Shkolla Fillore Elena Gjika. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritja e rasteve me COVID-19, MAShTI pa të dhëna të sakta për infektimet në shkolla

Gjatë kësaj jave është rritur numri i personave të infektuar me COVID-19, e kjo çështje ka prekur edhe procesin e mësimit në disa shkolla në vend që janë duke ndjekur mësimin në distancë.

Vetëm gjatë ditës së sotme janë 2 mijë e 50 qytetarë që kanë rezultuar pozitivë me coronavirus.

Nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e pranojnë se ka shtim të rasteve edhe në shkolla, por se nuk kanë numër të saktë të nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar.

“Sipas të dhënave, numri i rasteve të infektimit me COVID-19 është rritur edhe në shkolla. Për këtë në disa shkolla një numër i klasave ka kaluar në mësim online. Nga ana tjetër mësimdhënësit e infektuar po e mbajnë mësimin nga shtëpia”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

“Numër të saktë të nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar nuk kemi për shkak se të dhënat janë duke ardhur vazhdimisht nga shkollat dhe komunat. Gjatë ditës së nesërme mund të dalim me të dhëna të sakta”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Sipas MAShTI-it, mbi 90 për qind e mësimdhënësve janë të vaksinuar, mirëpo numri i nxënësve të vaksinuar nuk është i madh.

“Humbjet e mësimit për shkak të kalimit në mësimin online janë të mëdha. Prandaj edhe si Ministri po mundohemi që shkollat t’i mbajmë të hapura aty ku ka kushte për mësim. Por, nëse një numër i madh i shkollave kalon në mësimin online, MASHTI  është i përgatitur për një gjë të tillë”, thuhet më tej në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas MAShTI-it, një numër i nxënësve nuk është i pajisur me teknologji për ta ndjekur mësimin nga shtëpia, por sipas tyre, këtë mund ta bëjnë, sipas mundësive edhe përmes platformës shkolla.org.

“E po ashtu edhe në transmetuesin publik RTK4, ku emetohen video-mësimet. Respektimi i masave është i domosdoshëm për ta ruajtur shëndetin e të gjithëve dhe që shkollat të funksionojnë, e për më tepër mësimi të zhvillohet me prezencë fizike”, thuhet më tej.

KALLXO.com sot raportoi se Komuna dhe drejtorët e shkollave fillore e të mesme në kryeqytet kanë filluar të diskutojnë lidhur me skenarët online të zhvillimit të mësimit, si shkak i rritjes së rasteve me COVID-19.

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” nga data 17 janar kaloi në mësim online pas rritjes së rasteve me nxënës të prekur me virus.

Prishtinë, një shkollë vazhdon mësimin online, rreth 500 nxënës testohen brenda ditës