Rektori ankohet se vetura e UP-së nuk ndizet pa shtyrje

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka arsyetuar kërkesën e menaxhmentit për të blerë vetura të reja.

Në mbledhjen e senatit të UP-së, Demaj u konfrontua nga një student senator,Florian Bivolaku,i cili tha se Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore është në gjendje të mjerueshme, deri sa këta po kërkojnë blerje të veturave.

“Jemi dëshmitar që ditëve të fundit ky menaxhment ka filluar procedurat për blerjen e veturave të reja dhe sipas asaj qe është publikuar në media mjaft të besueshme këto vetura kanë specifika nga më të ndryshme, aty thuhet së këto vetura duhet të kenë ulëse për fëmijë. Nuk pe di a bëhet fjalë për nevoja e një universiteti apo ndonjë çerdhe dhe të jetë e specializuar për duhangjin. Rektor të lutëm mos na e fyeni inteligjencën më këto specifika, mos bëni hajgare me ne”, tha studenti.

Dema tha se vetura e tanishme e UP-së është 30 vjet e vjetër dhe nuk po ndezet.

“Besoni që qat xhip që 30 vite qe e kam, e kam shty për me dhez. Ky universitet nuk e ka asnjë veturë. Ato mjete janë nda, nëpër procedura dhe nuk kam pasur asnjë kërkesë shtesë. Krejt mediat tona që po dojnë më na bo të barabartë të gjithë së edhe rektori po lyp xhip. Nuk kam lyp xhip, por kam lyp një veturë, a duhna me lyp traktor me livru fushën?”, tha Dema.

KALLXO.com më 12 korrik kishte raportuar se Universiteti i Prishtinës ka kërkuar blerjen e pesë veturave për menaxhment.

Njëra ndër kërkesat ishte blerja e xhipit me procedura të përshpejtuara për nevoja të rektorit të Universitetit, Marjan Dema .

Në tenderin e iniciuar nga Universiteti janë shkurtuar afatet e dorëzimit të ofertave me arsyetimin se veturat që i kanë në shfrytëzim janë jashtë funksionit.

“Për shkak të nevojës urgjente, duke marrë parasysh se menaxhmenti i Universiteti te Prishtinës- ‘Hasan Prishtina’ veturat që i kanë në shfrytëzim janë jashtë funksionit si dhe duke pa të domosdoshme kërkesën e pjesës tjetër menaxheriale të Universitetit te Prishtinës jemi të obliguar që ne të iniciojmë Procedurë me afat të shkurtër”, thuhet njoftimin për kontratë të këtij tenderi.

Në kriteret për blerjen e makinës(xhipit) është specifikuar që ajo duhet të jetë version i fabrikuar për duhanxhinj.

Përveç xhipit për rektorin, në njoftimin për kontratë të publikuar me 28 qershor Universiteti planifikon t’i blejë edhe katër vetura të tjera: dy vetura limuzinë, një transporter (kombi me mbi tetë ulëse) dhe një Caddy. Në total, Universiteti ka parashikuar që për këto vetura të harxhojë 82 mijë e 500 euro.

Për të gjitha veturat, janë dhënë specifikacione të detajuara si për përmasat dhe performancat e veturës edhe për interierin dhe pajisjeve përcjellëse, ku për dy prej tyre është kërkuar që të kenë përgatitje për ulëse të fëmijëve.

Për të gjitha veturat, janë dhënë specifikacione të detajuara si për përmasat dhe performancat e veturës edhe për interierin dhe pajisjeve përcjellëse.

Ofertat e operatorëve ekonomikë për këto kërkesa të UP-së kanë mundur të dërgohen deri më 8 korrik.

 

Rektori planifikon të blejë xhip ku pihet duhani