Foto: Kallxo.com

Rektorët e universiteteve publike reagojnë për përjashtimin e Kosovës nga ENQA

Konferenca e Rektorëve në mbledhjen e sotme ka diskutuar largimin e Agjencisë Kosovare për Akreditim nga ENQA.

Sipas një komunikate për media, rektorët e universiteteve publike janë shprehur të shqetësuar, por thonë se nuk janë befasuar nga ky vendim.

“Përjashtimi i AKA-së nga ENQA është goditje për të gjithë arsimin e lartë, sidomos për studentët dëmi është shumë i  madh. Përjashtimi i AKA-së është pasojë e politikave të gabuara në arsim”, thuhet tutje.

Rektorët po ashtu kanë thënë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka qenë i ndikuar nga politika.

“Vendimi i ENQA-s është si pasojë e degradimit të AKA-së dhe dështimit të potencialit profesional në AKA, pasojë e tendencës për ta shndërruar arsimin e lartë biznes dhe në vegël politik. Konsiderojmë se ENQA  i ka dhënë kohë të mjaftuar KSHC-së që të stabilizohet por KSHC-ja ka dështuar në këtë aspekt”, thuhet në njoftim.

Ata kanë shtuar se mungesa e komisionit të ankesave pranë KSHC-së është njëra prej arsyeve që ka ndikuar në vendimin e ENQA-së.

“IPAL-i nuk ka pasur mundësi që ankesat e tyre për mosakreditim të programeve të caktuara t’i adresojë pranë komisionit të ankesave, meqë ky komision nuk ishte funksional, pas dorëheqjes kolektive të anëtarëve të komisionit”, kanë shtuar rektorët e universiteteve publike.

Tutje në komunikatë thuhet se Konferenca e Rektorëve është shprehur e shqetësuar me veprimet e KSHC-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe ka reaguar me kohë kundër politizimit të AKA-së dhe ka reaguar kundër dobësimit të AKA-së dhe vendimeve siç i kanë quajtur ata arbitrare.

“AKA-ja nuk ka luajtur rol bashkëpunues dhe konstruktiv me IPAL-in, ajo është sjellë me universitetet publike si gardian burgu, mirëpo edhe përkundër kundërshtive, universitet e kanë përkrahur AKA-në dhe Raportin e Vetëvlerësimit  të AKA-së për ENQA-në”, thuhet në vazhdim.

Ata kanë kërkuar përgjegjësi dhe reflektim nga institucionet relevante në lidhje me këtë çështje.

“Konferenca e Rektorëve paralajmëron se menjëherë pas zgjedhjeve të nivelit qendror, do ta mbajë edhe një mbledhje, për ta kërkuar nga qeveria e ardhshme seriozitet dhe përkrahje të arsimit, e jo ndikim dhe ndërhyrje në IPAL”, thuhet në përfundim.

Problemet në fushën e përfaqësimit ndërkombëtar të AKA-së nisën në vitin 2017 me vendimne e kryeministrit Ramush Haradinaj në vitin 2017 për të shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësë.

Fillimisht, AKA u përjashtua nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ndërsa iu degradua anëtarësimi në ENQA nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Lidhur me largimin e AKA-së nga ENQA ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Derisa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte thënë se nuk kanë njoftim zyrtar në lidhje me këtë cështje, derisa ENQA e ka bërë publikimin e këtij vendimi në faqen e saj.

Kurse, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka thënë se përjashtimi i AKA-së ka qenë i pritshëm, pasi sipas tyre këto probleme i kanë evidentuar edhe gjatë punës së tyre.

KALLXO.com ka raportuar  ekskluzivisht për vendimin e ENQA-s për mos ta vazhduar anëtarësinë e Kosovës.

Agjencia e Akreditimit të Kosovës përjashtohet nga ENQA

www.kallxo.com