Aparati i kafesë/Ilustrim FOTO-Urim Krasniqi

Rektoratit të UP-së i prishet aparati i kafes, blen të riun në vlerë 2500 euro

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka zgjedhur problemin për shërbimin me kafe brenda objektit të rektoratit pasi kishin mbetur pa aparat të kafes për rreth dy muaj.

Në një kohë të pasigurisë së shëndetit publik që çoi edhe në studime të detyrueshme online për studentët kosovarë, UP ka nisur procedura prokurimi për një aparat të ri kafeje.

Tenderi për këtë blerje u hap më 2 nëntor ndërsa tenderin e fitoi kompania “Etiani” nga Istogu që nënshkroi kontratën me UP-në më 24 nëntor në vlerë prej 2500 euro.

Kompania e lartpërmendur ishte e vetmja që kishte bërë ofertë në këtë rast.

Selman Qorri udhëheqës i procedurës së prokurimit në këtë rast ka treguar për KALLXO.com arsyet oër këtë blerje.

“Aparati është paraparë te vendoset në bufenë e Objektit te Rektoratit, ku edhe aty do të përdoret. Normal  pas çdo pajisje qe është jashtë funksioni, duhet te iniciohen procedurat për blerjen e një pajisje te re, edhe aparati që ka qenë funksional, afër dy muaj është jashtë funksioni, kemi  tentu me rregullu mirëpo  nuk ka  pas sukses”, tha ai.

Qorri ka treguar se derisa aparati ka qenë jashtë funksionit “shërbimet janë kryer me pajisje të tjera”.

Kujtojmë se në masat e reja të vendosura nga qeveria, studimet në të gjitha universitetet në vend bëhen online, ndërkaq prezenca fizike e studentëve në objektin e fakulteteve kërkohet vetëm në disa raste të kufizuara.

Hoti: Arsimi i lartë kalon plotësisht online