
Rekrutimi nga shkolla serbe në Obiliq i fëmijëve të komunitetit pakicë, çka bisedoi drejtoresha e shkollës me prindërit?
Pas materialit të filmuar nga KALLXO.com, i cili dëshmon rekrutimin nga një shkollë serbe të së paku dy fëmijëve të komunitetit joshumicë në Obiliq, drejtoresha e shkollës ku kanë mësuar më parë këta fëmijë, e ka vizituar të premten familjen e tyre.
Shyhrete Gashi, drejtoreshë e shkollës ‘“Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë se qëllimi i vizitës së saj ka qenë t’u kërkojë prindërve që fëmijët të kthehen në shkollë.
Gjatë vizitës Gashi ka thënë se i ka takuar edhe fëmijët, të cilët kanë qenë në shtëpi gjatë kësaj kohe.
Sipas Gashit, kushtet e tyre financiare janë duke u keqpërdorur nga strukturat paralele serbe.
“Po, shqetësuese është në krejt Kosovën që veprohet në këtë mënyrë, jo veç për mua si drejtoreshë e nxënësve. Detyrë e imja është që me bashkëpunu me OJQ, me Qendrën për Punë Sociale, që ata fëmijë mos me mbetë në rrugë” – ka theksuar Gashi.
Lidhur me mungesën e fëmijëve në shkollë, Gashi e kishte pyetur më parë nënën e tyre dhe në atë kohë sipas saj, ajo i kishte thënë se drejtori i shkollës serbe i ka dhënë 100 euro dhe dru falas.
Pas kësaj bisede me nënën e fëmijëve, Gashi ka thënë se ka më shumë se një javë që e ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit në Obiliq për këtë bisedë.
Ndërsa, më 21 shtator nga DKA në Obiliq kanë deklaruar për KALLXO.com se në këtë ditë kanë qenë të njoftuar për mungesën e këtyre fëmijëve në shkollë.
“Unë nuk i kam pa që janë të regjistruar në shkollë serbe, janë të regjistruar të rregullt këtu, i kanë mungesat këtu, nuk është detyrë e imja me shku në shkollën serbe me marrë informatë a janë atje në ditar, është e DKA-së” – ka thënë drejtoresha Gashi për KALLXO.com.
Shyhrete Gashi ka përmendur faktin se nuk ka diskriminim në shkollën e tyre, ata i përfshijnë në të gjitha aktivitetet e shkollës fëmijët e komunitetit joshumicë.
KALLXO.com raportoi për rastin e së paku dy fëmijëve, të cilët nga shkolla “Dr. Ibrahim Rugova” tani kanë kaluar në shkollën e sistemit paralel, që është pjesë e institucioneve të Serbisë.
Nënat e këtyre fëmijëve kanë treguar arsyet pse i kanë dërguar fëmijët në shkollën në gjuhën serbe.
Arsyeja kryesore janë kushtet më të mira si dhe fakti se fëmijëve u jepen për çdo muaj nga 50 euro, e madje edhe familjet ndihmohen materialisht.
KALLXO.com të premten e ka vizituar shkollën serbe në të cilën sipas informatave mësojnë këta fëmijë, për t’i pyetur në lidhje me të gjitha ato që kanë deklaruar nënat që i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë.
Mirëpo, dera e kësaj shkolle ka qenë e mbyllur, pavarësisht tentimit të KALLXO.com që të marrë qëndrimin e kësaj shkolle.