Reagimi i Këshillit të Prindërve të Kosovës për mosmbajtjen e mësimit sot

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar për moszhvillimin e mësimit në sektorin publik gjatë ditës së sotme.

Përmes një komunikate ata thonë se vonesa në miratimin e Ligjit për paga dhe moskomunikimi Qeveri-Sindikata po nxit reagim tek të punësuarit në sektorin publik.

“Këshilli i Prindërve i Kosovës vlerëson se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi i dialogut social Qeveri-Sindikata është duke nxitur reagimin edhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë garantuar me ligj”, thuhet në komunikatë.

Ara thonë se nëse Qeveria nuk lëvizë diçka në këtë drejtim, fëmijët dhe prindërit janë pala e vetme e dëmtuar në këtë proces.

“Por ndërsa Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social; dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi; ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas Këshillit të Prindërve, ata po paguajnë faturën e mosveprimeve e inateve mes Qeverisë dhe punëmarrësve.

“Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik (lexo SBASHK)”, thuhet tutje nga Këshilli.

Ata potencojnë se është për keqardhje se si trajtohet arsimi në Kosovë, duke potencuar se e ardhmja e fëmijëve është një nga arsyet pse po emigrojnë qytetarët.

“Ne gjykojmë se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet (sidomos) nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas tyre, sidoqoftë rezultati i këtij procesi, dhe kushdo qoftë “fituesi” në cak, sigurt është që sistemi publik edukativo-arsimor në Kosovë është pandalshëm në degradim.

Punëtorët e shtetit sot në protestë