Komuna e Istogut

Reagime e përplasje në Istog shkaku i punësimit të djalit të drejtorit të kadastrit

 

Reagime të shumta e përplasje ka ngjallur në komunën e Istogut punësimi i sotshëm i Arton Bajrës, djalit të drejtorit të kadastrit Hazbi Bajra.

Arton Bajra është punësuar mësimdhënës i edukatës fizike në shkollën “Martin Camaj”, në Gurakoc të Istogut.

Ai është djali i drejtorit të kadastrit Hazbi Bajra, i cili para kësaj pozite ka qenë shef i kabinetit të kryetarit Haki Rugova, ndërsa në pozitën e drejtorit është emëruar pak muaj më parë.

Njoftimi për punësimin e tij është bërë sot në portalin e komunës së Istogut.

Sipas burimeve të KALLXO.com ky punësim përpos reagimeve ka ngjallur edhe përplasje në mes të zyrtarëve të komunës së Istogut.

Sipas këtyre burimeve zyrtari i prokurimit Gëzim Ademaj, i cili është familjar i kandidatit Fatmir Ademaj, është përplasur me drejtorin e Arsimit Hajrush Shoshin pas përzgjedhjes së Arton Bajrës si mësimdhënës.

Drejtori i Arsimit, Hajrush Shoshi e ka mohuar të ketë pasur ndonjë përplasje fizike, mirëpo nuk e ka mohuar një përplasje verbale mes tij dhe zyrtarit të prokurimit.

“Nuk ka pas kacafytje, Gëzimi e ka pas një kushëri të vetin aty kandidat edhe so da i knaqum,  gjithmonë nëpër konkurse njerëzit janë të pakënaqur po kacafytje nuk ka pas”, tha Shoshi.

Shoshi shtoi se edhe pse Arton Bajra ka qenë djali i drejtorit nuk ka pasur ndonjë ndikim politik në punësimin e tij.

“Po djali i drejtorit të kadastrit është punësu nuk ka pas asnjë ndikim në punësimin e djalit të drejtorit aty kanë qenë tre kandidat edhe gjithmonë njerëzit pranohen”, shtoi Shoshi.

KALLXO.com, ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrtarin e prokurimit Gëzim Ademaj, mirëpo i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Në lidhje me këtë konkurs për KALLXO.com ka folur kandidati Fatmir Ademaj.

Ai tha se iu ka bërë e padrejtë në këtë konkurs pasi që ka qenë i pari me pikë, mirëpo fakti se kandidat ka qenë djali i drejtorit ka bërë që i njëjti të përzgjidhet.

“Unë kam qenë më i miri, dy kandidatët e tjerë që kanë qenë në këtë konkurs kanë pas pikë më pak se unë, ky djali që o pranu është djali i drejtorit, thanë se për këtë konkurs ka vendos direkt kryetari i Komunës, arsyeja që është punësuar Artoni është fakti se është djali i një drejtori”, tha Ademaj.

Ai shtoi se do t`i ndjek të gjitha procedurat ligjore në lidhje me këtë konkurs.

Pas kësaj bisede KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e kadastrit në komunën e Istogut Hazbi Bajrën.

Bajra tha se nuk ka ndikuar që djali i tij të punësohet si mësimdhënës i edukatës fizike në Istog.

“Skam pas ndikim unë, komisioni ka vendos unë as s`jam sjellë asnjëherë asajde, edhe s`di çka është kjo punë a është kiamet me u punësu një njeri, a s`po u dashka me u punësu kurrë fëmija e tyre a, reagimet gjithmonë ndodhin unë e konsideroj se çdo ka qenë në rregull”, ka thënë Bajra.

Ky nuk është rasti i parë në të cilin Arton Bajra punësohet si mësimdhënës i Edukatës Fizike.

Muaj më parë Bajra ishte punësuar në këtë pozitë, mirëpo pas ankesave konkursi ishte anuluar.