Qyteti i Vushtrrisë vetëm një çerdhe publike

65 mijë banorët e Komunës së Vushtrrisë kanë vetëm një çerdhe publike, kapaciteti i së cilës është vetëm për 140 fëmijë.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, gjatë fushatës elektorale në vitin 2017, në debatin Jeta në Kosovë, kishte premtuar ndërtimin e disa çerdheve.

“Banorët e asaj zone tek shkolla “Mustafë Venhari” kanë nevojë për një palestër që mungon dhe  çerdhen do ta ndërtojmë në një vend tjetër po në atë lagje. Ne do të ndërtojmë çerdhe aq sa ka nevojë komuniteti, sigurisht me parteritet publiko-privat, kudo që komuniteti e kërkon ne do të ndërtojmë çerdhe dhe nuk do të paguhet asnjë cent më shumë sesa në hapësirën publike”, kishte thënë Tahiri.

Drejtori i Arsimit në Vushtrri, Afrim Namani tha për KALLXO.com se komuna ka një objekt të gatshëm për çerdhe, por nuk kanë mundur ta funksionalizojnë ende.

“Nga mesi i vitit 2019 komuna jonë ka objektin e gatshëm të ri për çerdhe por ende nuk ia kemi dalë ta funksionalizojmë për shkak të pamundësisë për rekrutim të stafit (numri i limituar i punëtorëve në arsim) dhe poashtu vitin e kaluar ka filluar ndërtimi i një objekti tjetër për çerdhe në komunën tonë që pritet të përfundojë këtë vit”, tha Namani.

Namani tha se përfshirë edhe numrin e fëmijëve në çerdhen publike, numri i tyre në shkollimin parafillor është rreth 1050.

Vetëm 6 % e fëmijëve nga mosha 0-5 vjeçare ndjekin shkollimin parafillor në Kosovë.

Sipas profesorit, Dukagjin Popovci, pjesëmarrja në edukimin parashkollor ka efekte të jashtëzakonshme në zhvillimin e fëmijëve, duke i zhvilluar te ata shkathtësitë e para-leximit dhe para-numeracionit.

Sipas ekspertit të arsimit, fëmijët duhet ta fillojnë edukimin parafillor të paktën nga mosha 4 vjeçare.