Pupovci: Ka filluar rishikimin i Udhëzimit Administrativ për lirimin e studentëve nga pagesat semestrale

Në njërën ndër pikat e programit të  Qeverisjes Kurti 2  është paraparë që studentët e nivelit Bachelor dhe Master në Universitete Publike të lirohen nga pagesat e semestrit.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci në një konferencë për media ka konfirmuar se ka filluar rishikimi për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për aplikimin e pagesave të studentëve në Universitet Publike.

“Ideja është që studentët e nivelit Bachelor dhe Master të lirohen nga pagesat me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë dhe në këtë mënyrë të barabartë dhe njëkohësisht nxiten që t’i kryejnë të gjitha obligimet e tyre në mënyrë që të mos shpenzojnë kotë në përsëritje të semestrave”, ka thënë Pupovci.

Zëvendësministri ka bërë të ditur se do të ketë lehtësime edhe për studentët e Doktoratës.

“Do të ketë lehtësime edhe për nivelin e doktoratës, të cilat për momentin jemi duke i shqyrtuar”, është shprehur ai.

Zëvendësministri Pupovci, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se plani për heqjen e tarifave pritet të realizohet më së voni vitin e ardhshëm.

Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit dhe, sipas Pupovcit, kjo nuk është ndonjë shumë e papërballueshme për kompensim nga Qeveria.

Qeveria planifikon heqjen e pagesës për studime në universitete publike