Punësimi i kunatave në Gjilan

Punësimi i ‘kunatave mësuese’ në Gjilan

Kunata e kryetarit të komunës së Gjilanit, Valdrina Iseni dhe ajo e drejtorit të Arsimit në Gjilan, Vlora Shaqiri Nuhiu u punësuan në konkursin për mësimdhënës në këtë komunë, të datës 03.07.2024.

Kryetari Alban Hyseni dhe drejtori Shpend Nuhiu e kanë konfirmuar në debatin “Jeta në Komunë” të datës 10.11.2024 se në konkursin për mësimdhënës në Gjilan janë punësuar kunatat e tyre.

Përveç kunatës së kryetarit Hyseni, në konkursin për mësimdhënës në Gjilan është punësuar edhe gruaja e fotografit të Hysenit, Ajshe Berisha.

Para deklarimit publik të Hysenit e Nuhiut në debatin “Jeta në Komunë”, KALLXO.com i ka verifikuar dhe kontaktuar kunatën dhe gruan e fotografit të kryetarit dhe kunatën e drejtorit të Arsimit në Gjilan.

Të tri këto gra e kanë konfirmuar se ekziston lidhja familjare që kanë me zyrtarët komunalë dhe dy prej tyre e kanë mohuar se kryetari e drejtori i Arsimit kanë ndikuar në punësimin e tyre si mësimdhënëse.

Valdrina Iseni është punësuar edukatore në shkollën fillore të mesme të ulët “Abaz Ajeti” në Gjilan, Vlora Shaqiri-Nuhiu është punësuar mësimdhënëse klasore në shkollën fillore të mesme të ulët “Selami Hallaqi” në Gjilan dhe Ajshe Berisha si mësimdhënëse e muzikës në shkollën fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Livoq i Ulët dhe me plotësim norme në shkollat “Liria”, 7 orë dhe shkollën “Fetah Qerimi” me 4 orë.

Në debatin “Jeta në Komunë” të datës 10.11.2024, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni u ballafaqua me pyetjet e asamblistes nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Afërdita Balaj e cila e pyeti për punësimin e kunatës së tij dhe të drejtorit të Arsimit, Shpend Nuhiu.

Hyseni i përgjigjet asamblistes Balaj duke pretenduar se ka të afërm nga ana e asamblistëve që janë punësuar po ashtu në konkursin për mësimdhënës të datës 03.07.2024.

“Në konkursin e fundit është punësuar kunata ime edhe një e afërm e drejtorit të Arsimit, mirëpo ajo që vazhdimisht nuk e përmendi unë, janë të afërmit e juaj që janë punësuar. D.m.th në këtë konkurs” – është përgjigjur kryetari Hyseni.

Hyseni ka vazhduar duke thënë se është i gatshëm të jap llogari nëse ka shkelje në konkurs.

“Nëse kanë punësu ose janë punësu edhe të afërmit e këtyre [bën me dorë kah asamblistët], që janë direkt të lidhur me familjarët e këtyre, i bie që konkursi ka qenë i hapur për të gjithë. Po të kishin qenë të diskriminuar këta që janë përballë meje këtu, sikur siç kanë qenë familjarët e këtyre knej në kohën kur kanë qenë këta në qeverisje, kish me qenë me vend” – ka shtuar Hyseni.

E drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu kur u pyet se a është e punësuar edhe kunata e tij, ai e ka pohuar duke thënë se ka qenë edhe më herët e punësuar.

Në ndihmë për t’u përgjigjur Nuhiut i ka dalë edhe Hyseni, pasi tha se procesi i rekrutimit të mësimdhënësve në bazë të konkursit ka qenë pothuajse në përfundim kur Nuhiu e ka marrë pozitën e drejtorit të Arsimit.

Shpend Nuhiu u emërua drejtor i Arsimit në Gjilan më 14.08.2024, pas dorëheqjes së Albana Demirit, ish-drejtoreshës së Arsimit në Gjilan më 02.08.2024.

Në një përgjigje për KALLXO.com, më 11.10.2024, Komuna e Gjilanit ka thënë se Demiri ka dorëzuar dorëheqjen nga pozita e drejtoreshës së Arsimit për shkaqe personale.

Hyseni e ka konfirmuar se kontratën e kunatës së tij e ka nënshkruar drejtori i Arsimit, kurse kontratën e kunatës së drejtorit të Arsimit e ka nënshkruar vet ai.

“Të gjitha kontratat i nënshkruan kryetari i komunës si zyrtari më i lartë… Kunatat kanë qenë që shtatë vjet, respektivisht që pesë vjet duke punuar në shkolla dhe kanë marrë kontrata gjashtë mujore qysh parashihet me punësimet e zyrtarëve publikë” – ka thënë Nuhiu.

“Jo, unë nuk e kam nënshkruar kontratën e kunatës, sepse duhet drejtori [i Arsimit] me nënshkru kontratën. Ky i ka nënshkru të tjerat, unë e kam nënshkru vetëm kontratën e balldëskës së tij, sepse është konflikt interesi” – ka treguar Hyseni.

Kurse, për punësimin e gruas së fotografit të tij, Hyseni është shprehur se nuk është në dijeni nëse është gruaja e fotografit.

“Tash, nuk e di nëse është gruaja e fotografit, mundet me qenë edhe ajo” – tha Hyseni.

Çka thonë kunatat dhe gruaja e fotografit të kryetarit të Gjilanit për punësimin e tyre?

Më 22.10.2024, KALLXO.com e ka kontaktuar kunatën e kryetarit të Gjilanit, Valdrina Iseni e cila e ka konfirmuar se është gruaja e vëllait të kryetarit Alban Hyseni dhe që ka aplikuar në konkursin për mësimdhënës të datës 03.07.2024 në Gjilan.

Iseni është punësuar edukatore në shkollën “Abaz Ajeti” në Gjilan. Në rezultatet e testit me shkrim dhe në vendimin e raportit përfundimtar të konkursit është e paraqitur me mbiemrin ‘Iseni’, ndërsa në rezultatet e vlerësimit të intervistës është e paraqitur me mbiemrin ‘Iyseni’.

Kur u pyet se çka e ka Alban Hysenin, a është familjare e tij, ajo nuk ka pranuar të jap informata.

“Më fal, për momentin jam në punë, kështu që nuk mundem me dhanë ma shumë informatë. Mirupafshim!” – ka thënë Iseni, më 22.10.2024.

Kunata e drejtorit të Arsimit në Gjilan, Vlora Shaqiri-Nuhiu përveç se e ka pohuar se është gruaja e vëllait të drejtorit të Arsimit në Gjilan dhe se ka aplikuar në konkursin për mësimdhënës të datës 03.07.2024 në Gjilan, e ka pohuar edhe se është kunata e drejtorit të Arsimit, Shpend Nuhiu.

Shaqiri-Nuhiu e ka mohuar se ka ndikuar drejtori i Arsimit në Gjilan që ajo të pranohet si mësimdhënëse në shkollën “Selami Hallaqi” dhe ka thënë se ka diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Universitetin e Prishtinës dhe drejtimin master – Menaxhim dhe udhëheqje në arsim, në Universitetin e Tetovës.

“Po, jam kunata e drejtorit [të Arsimit]. Unë kam përvojë pune. Kam punu në shkolla private, kam punu në kurse private, aspak nuk ka ndikuar drejtori që unë të futem në atë pozitë… Katër vite përvojë pune i kam në shkolla publike, dy vite përvojë pune i kam në kurse private… Shpendi e ka marrë pozitën dy javë para se përfundu ose nuk di saktë, veç shumë pak para se me përfundu konkursi, unë kam apliku qysh në korrik, unë nuk e kam ëndërru që Shpendi ka me qenë drejtor” – ka thënë Shaqiri, më 22.10.2024.

Ndërsa, gruaja e fotografit të kryetarit të Gjilanit, Ajshe Berisha e ka konfirmuar se është mësimdhënëse e muzikës në shkollën fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Livoq i Ulët dhe se ka aplikuar në konkursin për mësimdhënës të datës 03.07.2024, në Gjilan.

Berisha e ka pranuar edhe se është aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë iu kam përgjigj procedurave të rregullta të konkursit edhe me qasjen që e kam kalu, krejt atë procedurë, nuk mundem me thanë që kam pas ndihmesa prej askujt. Pse? Sepse jam përgatit rreth dy muaj e gjysmë për këtë konkurs, pavarësisht se në Gjilan drejton subjekti i Vetëvendosjes” – ka thënë Berisha.

“Bashkëshorti po, punon në zyrën e kryetarit [Alban Hyseni] është fotograf në zyrën e kryetarit, por nuk muj me thanë që ka të bëj diçka kryetari me punësimin tim, sepse shkollimin që e kam kry… edhe unë e kam kry shkollimin për mësimdhënëse të muzikës edhe jam në vendin e punës, në të cilin mendoj që e meritoj” – ka shtuar Berisha.

Berisha tha se ka përfunduar master – Pedagogji muzikore edhe master tjetër – Pedagogjinë për shkollat profesionale, dhe ka tri vjet që punon si mësimdhënëse e muzikës, prej tyre dy vjet ka punuar në shkollën “Hilmi Rakovcia” në Prishtinë.