Foto: Arkiv

Publikohen rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore

68 për qind e 23 mijë nxënëseve të klasave të dymbëdhjeta kanë kaluar provimin e maturës shtetërore.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit, përmes një njoftimi për media.

“Këtë vit, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 68.43 për qind. Prej këtij rezultati, 68.36 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 69.47 për qind në mësimin në gjuhën boshnjake dhe 74.77 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën turke”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Provimi i mbajtur më 26 qershor, është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 177 qendra të testimit.

Sipas njoftimit të MAShTI-it për shkak të përdorimit të telefonit, nga provimi janë larguar gjithsej 69 nxënës, të cilëve u është anuluar testi.

“Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës dhe 200 vëzhgues. Po ashtu, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet tutje në njoftim.