Besnik Krasniqi - Foto: Facebook

Profesori i UP-së fiton çmim për punimin më të mirë shkencor në një konferencë prestigjioze

Profesori i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Besnik Krasniqi, e ka fituar çmimin për punimin më të mirë shkencor në një nga konferencat më prestigjioze në botë – RENT Entrepreneurship në Berlin.

Në njoftimin e lëshuar nga Universiteti i Prishtinës thuhet se ky punim është prezantuar në edicionin e 33-të të konferencës.

“Punimi shkencor i Krasniqit është shpallur punimi më i mirë në konferencë për sfidimin e dijes ekzistuese në ndërmarrësi (Best Paper Prize for ‘Challenging the conventional wisdom in entrepreneurship’).  Punimi është prezantuar në edicionin e 33-të të konferencës me titull: “Embracing uncertainty: entrepreneurship as a key capability for the 21st century”, thuhet në njoftim.

Punimi i profesor Krasniqit ka bashkautorë Nick Williams dhe Emmanuella Plakoyiannki dhe titullohet “Returnee Entrepreneurship to complex economies: the role of social networks”.

Sipas njoftimit, punimi në fjalë trajton problemet e migracionit dhe të ndërmarrësisë në ekonomi komplekse duke e përfshirë edhe Kosovën.

Konferenca shkencore RENT Entrepreneurship, së bashku me Babson College Entrepreneurship Research Conference, konsiderohen dy konferencat më prestigjioze në botë për ndërmarrësi.