Prindërit e 5-vjeçarit vendosin që djalin ta dërgojnë në një shkollë tjetër në Ferizaj

Fadil Idrizi, babai i 5-vjeçarit ka vendosur që fëmijën e tij ta dërgojë në një shkollë tjetër në Ferizaj, për shkak se shkolla fillore “Jeronim de Rada” nuk e kishte pranuar në fillim nxënësin vetëm pse i ka flokët e gjata.

Idrizi tregon se pse vendosën që djalit t’ia ndërrojnë shkollën.

“Për arsye se ne si prindë jemi të pa kënaqur dhe kur e dërgova në shkollën tjetër fëmija e gjeti ngrohtësinë e vet aty dhe kjo është arsyeja pse e kemi dërgu në një shkollë tjetër”-tha Idrizi.

Prindi i 5-vjeçarit ka thënë se është detyruar të mos e dërgojë djalin në të njëjtën shkollë për shkak “të sjelljeve jo të mira” të drejtoreshës së shkollës.

“Ndoshta djali do të vazhdojë edhe pjesën tjetër të shkollimit në shkollën ‘Tefik Çanga’, sepse jemi shumë të paknaqur me stafin e shkollës ‘Jeronim de Rada’ dhe me rregullat e asaj shkolle”- ka thënë Idrizi.

Tutje Idrizi ka bërë të ditur se dje (e mërkurë) drejtoresha nuk ka pranuar të takohet me të dhe kërkesën për ta kthyer në shkollë nuk ia ka pranuar.

“Dje kur kam shku me taku drejtoreshën, me vete pata kërkesën me shkrim, por drejtoresha e shkollës ‘Jeronim de Rada’ nuk më pranoi në takim, më tha që nuk ka qef me m’pa në zyre hiç, pastaj e kam dërgu tek sekretarja” – tha ai.

“Për shkak të sigurisë së djalit dhe me ju largu rrethanve kështu më të arsyshme e kemi pa këtë, në rast se ndërrohet drejtoresha me gjithe qef e kthej djalin aty”- theksoi ai.

KALLXO.com e ka kontaktuar drejtoreshën e shkollës, Servete Hajrullahu për të marrë një qëndrim rreth deklaratave të babait të 5-vjeçarit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, Inspektorati i Minstrisë së Arsimit, sot ka rekomanduar kthimin e fëmijës në shkollë dhe kanë bërë të ditur se prindërit janë njoftuar që 5-vjeçari të paraqitet në mësim.

KALLXO.com ka raportuar më 11 tetor 2022 se një fëmijë 5-vjeçar nuk është lejuar të ndjekë mësimin në shkollën fillore “Jeronim de Rada” për shkak se ka flokë të gjata.

Këshilltari ligjor i Ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj ka thënë se pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com, kanë kërkuar inspektim emergjent të rastit.

Pas inspektimit, sipas Dervishajt, inspektorati ka rekomanduar kthimin e fëmijës në shkollë, me ç’rast prindërit janë njoftuar që 5-vjeçari të paraqitet në mësim.

Pas raportimit të KALLXO.com, prindërit njoftohen që 5-vjeçari të kthehet në shkollë