Premtimet e rektorit të ri për përmirësimin e gjendjes në UP

Kur janë bërë gati 3 muaj që kur është zgjedhur në krye të Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, rektori Qerim Qerimi ishte i ftuar në emisionin #KallxoPernime.

Qerimi, ka shpalosur planin e tij të veprimit për përmirësimin e kushteve të studentëve, duke renditur disa reforma.

“Unë kam propozuar 10 pika si plan konceptual i veprimit, pika të cilat zbërthehen pastaj në disa nënveprime. Më kryesorja është ndryshimi i statutit të UP-së, rekrutimi i stafit të ri akademik, rigjallërimi i ndërmarrjes së kërkimit shkencor, çështja e fuqizimit të mekanizmave institucional që ka të bëjë me integritetin e kërkimeve dhe cilësinë e prodhimit, komunikimi më i mirë publik i rezultateve të UP-së, çështja e rritjes së shkëmbimeve akademike, sidomos rritja e shkëmbimeve të studentëve, digjitalizimi më i madh i shërbimeve, etj”, ka thënë Qerimi.

Ai ka shtuar se po synojnë të krijojnë një platformë digjitale në mënyrë që studentët të mund të konsultohen për ligjëratat në mënyrë elektronike.

Qerimi në emisionin #KallxoPernime ka thënë se janë duke punuar që të krijojnë mekanizma në mënyrë që cilësia e mësimit të rritet në UP.

“Një prej mekanizmave që ne e përdorim është vlerësimi online që studentët bëjnë për profesorët në secilin semestër apo edhe para provimit. Por unë nuk mund të them deri më tash se cila ka qenë vlera reale e këtij vlerësimi dhe kam në plan që të bëjmë studime më të kujdesshme të përshtatshmërisë së këtij vlerësimi”, ka thënë Qerimi.

Ky vlerësim është anonim përmes llogarisë individuale që kanë në sistemin SEMS, sistem elektronik për menaxhimin e studentëve.

Ky bëhet në periudhën pas përfundimit të një semestri dhe para provimeve.

“Do të shohim nëse do të ketë nevojë të modifikojmë pyetësorin, varësisht sa është i përshtatshëm dhe është matje e duhur e profesorit”, ka thënë Qerimi.

Qerim Qerimi ishte zgjedhur rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” më 21 nëntor të vitit të kaluar.

Qerim Qerimi zgjidhet rektor i Universitetit të Prishtinës

 

‘Pika e dobët e UP-së’ – A munden profesorët me qenë edhe politikanë?

Në emisionin #KallxoPernime, rektori i ri i UP-së, Qerim Qerimi ka thënë se misioni kryesor i tij është ndryshimi i pozitës së studentit.

Ai ka folur edhe për çështjen e profesorëve që janë edhe në politikë, duke shtuar që është më shumë kompetencë e atyre që nxjerrin apo miratojnë ligjet, pra e deputetëve.

“A kanë me mujt me ligjëru profesorët që janë edhe në politikë, nuk e di a më përket si çështje. Veçantia e statutit është që miratohet në Kuvend. Prandaj rregullimi më i mirë do të ishte në legjislacionin tjetër që e lejon mundësinë e tillë të angazhimit. Nëse profesori është i angazhuar në mbajtjen e ligjëratave nuk mendoj që është fer që ato orë t`i mbaj dikush tjetër”, ka thënë Qerimi.

Norma e zakonshme për shumicën e fakulteteve është 6 orë për javë, për çdo profesor.

“Ky është 100% i orëve, por ka profesorë që mbajnë më tepër orë për arsye të ndryshme, p.sh. nuk ka staf, e të cilat pastaj llogariten si mbi normë”, ka thënë Qerimi.

Premtimi i rektorit, në mars-prill do të shpallet konkursi për 120 profesorë

Fakulteti i arteve ka më së shumti staf akademik me mbi normë.

Sipas rektorit Qerimi, kjo duhet të ndryshohet megjithëkëtë ai thotë që fillimisht edhe kjo duhet të studiohet para se të ndërmerren hapa konkret.

“Numri i orëve mbi normë ose jashtë normës në total është diku mbi 12 mijë orë në nivel universiteti, që do të thotë gati i ofrohet numrit të rregullt të orëve. Prandaj ne jemi në fillimet tona të planifikimeve dhe në bazë të buxhetit të rekrutojmë staf”, ka thënë Qerimi.

Deri në 120 pozita, staf akademik, rektori Qerimi planifikon që t`i plotësoj në UP.

“Këto vende nuk përmbushin as një pritje modeste të nevojave ose të objektivit, por këto pozita do tai shpallim konkursin në mars-prill”, ka thënë Qerimi.

 Politika dhe UP-ja, ndikimi i hapjes së universiteteve nëpër komuna

Pushtetet e ndryshme në Kosovë kanë marrë vendime lidhur me UP-në që mund të shihen si vendime që sjellin vota nga studentët. Në kohën kur në krye të ekzekutivit ishte Hashim Thaçi, shumë universitete publike u hapën në vend. Në anën tjetër, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, u heq çdo obligim që kishin studentët për pagesën e semestrit duke i bërë kështu studimet pa pagesë.

Përveç Prishtinës, Pejës e Prizrenit, më 6 mars 2013 përmes një vendimi qeveria themeloi edhe tri universitete të tjera, përkatësisht atë të Mitrovicës, Gjilanit e Gjakovës.

Për këto dy tema ka folur rektori i UP-së, Qerim Qerimi në emisionin #KallxoPernime. Ai ka thënë se çështjet që kanë të bëjnë me mbylljen apo jo të Universiteteve publike janë çështje që kërkojnë debat më të gjerë që s’i përkojnë vetëm rektorit të UP-së.

Ndërsa lidhur me lehtësimin e pagesës së studentëve pa pagesë Qerimi tha se kjo nuk ndikon fare në cilësi të studimeve, por ka edhe vende të tjera si Sllovenia ku studimet në universitete publike janë krejtësisht pa të holla andaj Kosova nuk është e vetmja.

Problem më të madh paraqet fakti që numri i studentëve në universitetet publike në përgjithësi është në rënie.

“Ajo çfarë mund të them unë është që kjo çështja e numrave të studentëve është vërtetë një sfidë edhe për Universitetin e Prishtinës, njësoj sikurse është nëpër secilin institucion të arsimit në vend. Dmth numri i vogël i studentëve. Ka degë edhe në UP që numri i studentëve ka pësuar rënie, është Fakulteti i shkencave, i kimisë, gjeografisë e i biologjisë”, ka thënë Qerimi.

Ai ka shtuar se UP-ja më nuk është në konkurrencë me universitete private as me ato që veprojnë në komuna të tjera, por me universitetet evropiane.

“Konkurrenca jonë është me universitetet gjithandej në botë, ku studentët po shkojë drejtpërdrejt atje për të studiuar”, ka thënë Qerimi.

Ndryshe më 2013 u mor vendimi që në Mitrovicë dy fakultete do të shndërrohen në universitet publike përkatësisht Fakulteti i Shkencave Teknike të Aplikuara dhe ai i Gjeo-Shkencave e Teknologjisë.

Në Gjilan, Fakulteti i Edukimit, ai Juridik dhe Ekonomik, me gjithsej rreth një mijë studentë, u shndërrua në universitet, ndërsa në Gjakovë Fakulteti i Edukimit dhe Mjekësisë (drejtimi mami dhe infermieri) me gjithsej rreth 300 studentë është po ashtu universitet.

Zgjerohen Qytetet Universitare në Kosovë (TV)

 

Buxheti i UP-së kryesisht shkon në pagat e profesorëve dhe administratës

Në emisionin #KallxoPernime, është diskutuar edhe për buxhetin e Universitetit të Prishtinës.

Rektori, Qerim Qerimi ka thënë se për këtë vit janë ndarë 32 milionë euro për UP-në.

Ai e ka bërë edhe një krahasim mes buxhetit të Universitetit publik të Lublanës që ka buxhet mbi 300 milionë, për numër të studentëve përafërsisht të ngjashëm me atë të UP-së.

“Buxheti i Universitetit të Lublanës është 330 milionë euro. Afërsisht kemi numër të njëjtë të studenteve bile ka qenë më i lart por që viteve të fundit jemi ballafaquar me rënie të numrit të studentëve, kështu që mund të kemi 2-3 mijë studentë më pak”, ka thënë Qerimi.

Ndryshe, pjesa më e madhe e buxhetit të UP-së, shkon për paga, më shumë se 20 milionë.

Premtimi i rektorit: do të ketë bursa për studentët e masterit dhe doktoratës

Qerimi në emisionin #KallxoPernime ka thënë se ka propozuar që të ndahen bursa edhe për studentët e magjistraturës dhe për ata të doktoratës, pos atyre mbi 1 mijë që ofrohen për studentet e studimeve themelore(baqelor).

Ai për këto dy fusha tha se ka në plan t`i ndajë 200 mijë euro.

“Ajo çfarë do të bëjmë për herë të parë dhe që kam pasur mundësi të propozoj është që do të japim bursa për studentët e studimeve master dhe doktoratorale, sidomos kjo e fundit mendoj që është e rëndësishme që të ndërhyjmë dhe t`i stimulojmë ata”, ka thënë Qerimi.

Ministria e Arsimit në bazë të një projekti për bursa, ka financuar studentet vajza që kanë zgjedhur të ndjekin drejtimet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë e Matematikës (STEM).

Sipas MASHTI-t, në këtë thirrje kanë aplikuar 3,618 studentë, ndërkaq komisioni vlerësues ka konstatuar se 1,609 kanë përmbushur kriteret sipas thirrjes dhe janë përfitues të mbështetjes financiare në vlerë 1 mijë euro, prej të cilëve 1,366 vajza/gra dhe 243 djem/burra.

MASHTI publikon listën e studentëve të STEM-it që përfituan nga 1 mijë euro

Qerimi kohë më parë kishte takuar këto studente vajza dhe sipas tij zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.

“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë”, kishte thënë rektori Qerimi.

 

Vajzat dominojnë drejtimet e inxhinierisë dhe shkencave kompjuterike në UP

 

Qerimi ka thënë se janë planifikuar 700 mijë euro për studime kërkimore.

“50 mijë euro do të ndahen për dy njësi akademike, gjithsej janë 14 sosh që i bie 700 mijë euro deri në fund të këtij viti. Por me pas mundësi këtë 700 mijë e kisha bo 7 milionë, po mund të thuash që edhe kjo është pak”, ka thënë Qerimi.

Qerimi në #KallxoPernime ka folur edhe për qasjen që kanë studentët e juridikut në bibliotekën digjitale, ‘LexisNexis’.

“Aty gati të gjitha revistat ligjore ose punimet që bëhen janë të qasshme. Dmth duke pasur qasje në të, praktikisht studentët kanë qasje në një oqean të tërë të literaturës”, ka shtuar Qerimi.

Por në Fakultetin e juridikut ka mungesë të kompjuterëve.

“Ky është një realitet që ekziston, por që po ndryshon. Një buxhet që është i lirë jam duke tentuar që ta shpërndaj edhe në blerjen e kompjuterëve”, ka thënë Qerimi.

Ai ka shtuar se rreth 50 mijë euro të buxhetit do të shkojnë në përkthime dhe botime.

Në emisionin #KallxoPernime, u fol edhe për gjendjen e mjerueshme që janë tualetet në Universitetin e Prishtinës.

Rektori është pyetur se si do t`ia bëjë studentit të thjeshtë, përvojën shumë më të mirë në UP.

Ai ka thënë se ndër prioritetet kryesore ka rregullimin edhe të kësaj çështjeje.

“Mendoj që kjo gjendje është parësore dhe nuk shoh ndonjë detyrë më intelektuale se sa t`i përmirësojmë kushtet mjedisore të studentëve”, ka thënë ndër tjerash Qerimi.

Ngacmimet seksuale në UP, si do të ndryshoj kjo dukuri me rektorin Qerimi?

Rektori, Qerim Qerimi në #KallxoPernime, ka thënë se UP-ja ka një rregullore kundër ngacmimeve seksuale dhe të gjithë studentët mund ta raportojnë këtë tek zyrtarja përgjegjëse që është në nivel të rektoratit.

“Është kolegia Drita në rektorat, zyrtare përgjegjëse për çështje të ngacmimeve seksuale. Nëse ajo merr një raportim e drejton në varësi të përmbajtjes tek organet e brendshme që janë komisionet disiplinore brenda njësive akademike, pastaj këshilli i etikës në nivel universiteti. E në raste të caktuara këto raste referohen tek organet e rendit”, ka thënë Qerimi.

Ai ka shtuar se bashkë me ekipin janë duke e zhvilluar një hulumtim me studentët, përfaqësuesit e tyre, departamentin e psikologjisë që kanë dije për këtë çështje.

“Në statutin e ri që po bëhet kam propozuar të krijojmë zyre të ombudspersonit të studentëve, siç kanë shumë universitete jashtë, që do të ishte një adresë e njohur ku studentët do të mund të raportonin. Pra kjo do të bëhet kur të miratohet statuti i ri”, thotë Qerimi.

Studentë aktivistë në 50 vjetorin e Universitetit të Prishtinës, pra më 2020 kishin ndërmarrë një aksion simbolik në kampusin universitar për të shprehur shqetësimin e tyre rreth trajtimit të rasteve të ngacmimeve seksuale në këtë institucion.

Sipas këtyre studentëve aktivistë, ngacmimi seksual është fenomen i njohur në historinë e Universitetit të Prishtinës dhe emrat e ngacmuesve seksual janë të njohur.

“Ngacmimet seksuale vazhdojnë të mos sanksionohen brenda Universitetit të Prishtinës duke krijuar kështu një ambient të pasigurt për studentet dhe studentët e UP-së, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe duke e shndërruar Universitetin në një shtëpi e cila strehon dhe ushqen ngacmues seksual”, kishin thënë këta studentë.

 

Aksion kundër ngacmimeve seksuale në UP  

 

E në vitin 2021, një asistenti të Fakultetit të Mjekësisë i ishte shkëputur kontrata e punës pasi i njëjti dyshohej se kishte ngacmuar seksualisht një studente.

Kështu kishte thënë dekania e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Suzana Manxhuka-Kërliu.

“Njëra nga vlerat e universiteteve duhet të jetë barazia gjinore, luftimi i seksizmit, luftimi i ngacmimit, çfarëdo lloj qoftë ai dhe integriteti akademik. Ne si Fakultet i Mjekësisë jemi të prirë që ta parandalojmë dhe ta adresojmë ta luftojmë ngacmimin seksual, duke i inkurajuar studentët por edhe stafin, që t’i paraqesin rastet”, ka deklaruar ajo në emision #KallxoPernime.

 

Si u përjashtua asistenti në Fakultetin e Mjekësisë për ngacmim seksual?

 

Masat ndaj atyre që bëjnë plagjiaturë në UP, a mund rektori të ndërhyj?

Rektori i UP-së Qerim Qerimi tha se ai si rektor nuk mund të ndërmerr masa tjera ndaj atyre që bëjnë plagjiaturë pos atyre masave që i aplikon Këshilli i Etikës bazuar në kodin e etikës dhe rregulloren për procedurën e masave disiplinore.

Ai ka thënë që kompetencë ekskluzive për masa disiplinore ndaj atyre që bëjnë plagjiaturë ka vetëm Këshilli i Etikës në UP.

“Sipas rregullores, këshilli ka kompetencë ekskluzive për përcaktimin përmbajtjesor, meritor të asaj nëse është bërë ose jo plagjiaturë. Dhe nëse po cila është masa që duhet ndërmerret”, ka thënë Qerimi.

Ai ka shtuar se po synojnë që ta ndryshojnë këtë rregullore, por kjo shkon në linjë me statutin.

Për këtë ai thotë se ka kërkuar edhe ekspertizë të jashtme nga Ambasada amerikane.

“Mendojmë që tash është koha e duhur që ta rishikojmë këtë rregullore, krahas rishikimit të kornizës ligjore mendoj që është po kaq e rëndësishme të fuqizojmë edhe mekanizmat institucional”, ka thënë Qerimi.

Këshilli i Etikës ka kompetencë për të vendosur për shkelje të rënda etike dhe senati konfirmon ato shkelje ose jo.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në qershor të vitit të kaluar përmes një konferencë për media kishte njoftuar se Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë një vendim sa i përket denoncimit të tyre për plagjiaturë për profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA tha se më 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore.

“Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

Në vendimet e Këshillit të Etikës thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite si dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike.

Qerimi gjatë intervistës u sfidua lidhur me faktin që Këshilli i Etikës të UP-së po tregohet tolerant ndaj plagjiatorëve duke mos e aplikuar së paku masën disiplinore të nenit 8, pika 1.8 që parasheh tërheqjen e titullit të profesorit të rregullt në profesor të asocuar apo një rang më poshtë në rast që ky këshill e ka vërtetuar që ka ndodh plagjiatura.

Si zgjidhje për këtë çështje Qerimi propozoi që të merret Këshilli Drejtues i UP-së, e jo vetë ai si Rektor apo Senati. Lidhur me këtë zgjidhje, Qerimi u sfidua me faktin që profesorët, senatorët paguhen rreth 1200 euro për të marrë vendime të rënda, e këtë vendim për plagjiaturë po ja lënë anëtarëve të Këshillit Drejtues që paguhen 300 euro e nuk e kanë UP-në punë me orar të plotë. Në këtë rast, Qerimi tha që edhe anëtarët e Këshillit të Etikës nuk paguhen shumë, por vetëm kah 50 euro për takim, edhe s’lejohen të paguhen më shumë se dy takime në muaj.

Këshilli i Etikës vendos për plagjiaturën e Dugollit dhe Kastratit, Dugolli e quan fushatë të ORCA-s