Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Pozita e Sekretarit të UP-së, sot pritet të vendos Këshilli Drejtues

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot pritet të vendos për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, pozitë kjo e cila ka mbetur peng tash e disa muaj.

KALLXO.com përmes burimeve ka kuptuar se KD i UP-së ka filluar mbledhjen në ora 14:00, me rend dite “vendim lidhur me pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës”.

Kjo pozitë ka mbetur peng tash e disa muaj, pasi Ministria e Punëve të Brendshme, kishte lëshuar dy interpretime të kundërta për vazhdimin e mandatit të Esat Kelmendit si Sekretar të Përgjithshëm të UP-së.

Këto dy interpretime të kundërta ishin dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme pasi rektori i UP-së, Naser Sahiti, në fillim të muajit tetor 2021 kishte kërkuar një mendim nga MPB për këtë pozitë.

Për të mos mbetur kjo pozitë e zbrazët, rektori e kishte emëruar Kelmendin si u.d. sekretar të përgjithshëm.

Rreth një muaj pas kërkesës, në nëntor të vitit 2021, rektori Naser Sahiti kishte pranuar dy dokumente të ndryshme, një opinion ligjor dhe një mendim këshillimor nga dy zyrtarë të ndryshëm brenda MPB dhe anëtarët e Këshillit Drejtues refuzuan të marrin vendim për shkak të paqartësive të krijuara nga ana e MPB-së.

KALLXO.com kishte dërguar pyetje për sqarim nga MPB se pse janë dërguar dy opinione ndhe se cilën duhet ta zbatojë UP-ja, por nuk kishte pranuar përgjigje.

Kelmendit i kishte skaduar mandati më 25 tetor dhe rektori në mënyrë që kjo pozitë të mos mbetet e zbrazët e emëroi si u.d. Esat Kelmendin.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues të UP-së rend dite është edhe shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit për vitin 2022 dhe pika të tjera.

 

Mbetet peng vazhdimi i kontratës së sekretarit të UP-së për shkak të dy interpretimeve të ndryshme nga MPB

.