Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Pozita e Sekretarit të UP-së, Këshilli Drejtues ende pa vendimmarrje

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, as gjatë ditës së djeshme nuk i ka dhënë fund epilogut pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm.

KALLXO.com ka mësuar nga burimet se KD i Up-së, s’ka marrë ndonjë vendim nëse duhet t’i vazhdohet kontrata u.d. sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi duke e shtyrë për mbledhjen e radhës.

KALLXO.com ka kuptuar se një pjesë e KD janë që atij mos t’i vazhdohet kontrata  dhe të hapet konkurs i rregullt, ndërsa një pjesë janë që atij t’i vazhdohet.

Mbledhja e radhës pritet të mbahet të mërkurën e ardhshme.

Çështja e vazhdimit të mandatit të ish-sekretarit ka mbetur në këtë pozicion tash e disa muaj, pasi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lëshuar dy interpretime të ndryshme për vazhdimin e mandatit të ish-sekretarit, Esat Kelmendi që aktualisht është U.D.

Këto dy interpretime të kundërta ishin dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme pasi rektori i UP-së, Naser Sahiti, në fillim të muajit tetor 2021 kishte kërkuar një mendim nga MPB për këtë pozitë.

Për të mos mbetur kjo pozitë e zbrazët, rektori e kishte emëruar Kelmendin si u.d. sekretar të përgjithshëm.

Rreth një muaj pas kërkesës, në nëntor të vitit 2021, rektori Naser Sahiti kishte pranuar dy dokumente të ndryshme, një opinion ligjor dhe një mendim këshillimor nga dy zyrtarë të ndryshëm brenda MPB dhe anëtarët e Këshillit Drejtues refuzuan të marrin vendim për shkak të paqartësive të krijuara nga ana e MPB-së.