Foto: RTV 21

PISA, Kosova merr ca pikë më shumë në lexim e matematikë

Megjithëse 15 vjeçarët kosovarë kanë performuar më keq në shkencë se sa kishin performuar në vitin 2015, këtë vit në testin PISA 2018 është shënuar një rritje e lehtë e pikëve në lexim dhe matematikë.

Në raportin e PISA 2018 të siguruar nga KALLXO.com bëhet e ditur se nxënësit e Kosovës këtë vit në lexim kanë marrë 353 pikë dhe në matematikë 366.

Në testin e kaluar të PISA-s në vitin 2015 Kosova kishte marrë 347 pikë në lexim ndërsa në matematikë 362 pikë.

Kështu në krahasim me testin PISA 2015, këtë vit Kosova ka shënuar rritje në lexim për 6 pikë dhe në matematikë për 4 pikë më shumë.

Por pavarësisht kësaj rritje nuk është arritur mesatarja e OECD që në lexim është 487 dhe në matematikë 489.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, ku marrin pjesë 35 shtete nga e gjithë bota, përfshirë vendet më të zhvilluara të Evropës.

Ky program synon testimin e aftësive në shkencë, matematikë dhe lexim të nxënësve 15 vjeçarë të të gjitha vendeve pjesëmarrëse sipas një standardi të përcaktuar nga ekspertët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.

Gjatë leximit të raportit mund të gjenden raste të vlerësimit me pikë dhe me përqindje. Ndërkaq, ekzistojnë 6 nivele të vlerësimit, ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.

(DOKUMENT) Rezultatet e Kosovës në testin PISA 2018